Miniera e Trepçës

Minatori në lot: Më erdhi djali nga kurbeti por s’ qëndrova me të, s’i tradhtoj shokët

Gazetari Arsim Lani emisionin e tij FRONTAL sot e ka nisur bashkë me minatorët grevistë të Trepçës 800 metra thellë në horizontin e dhjetë, derisa ata sot kanë hyrë në ditën e 10 të grevës së tyre, në kërkim të plotësimit të kushteve të tyre.

Lani ka thënë se gjendja e minatorëve grevistë është e rënduar dhe sipas informacioneve që ka marrë nga vendi i ngjarjes rreth 200 minatorë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Autori i emisionit ka treguar se dy autoambulanca qëndrojnë në hyrje të minierës.

Ai ka realizuar edhe intervista me minatorët grevistë, të cilët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre me menaxhmentin.

Një prej tyre ka thënë se ushtruesi i detyrës së drejtorit asnjëherë s’ka qenë për t’i vizituar. Minatori i cili merret me xehet, ka treguar edhe për vizitën që ia ka bërë djali i tij, i cili kishte ardhur nga Gjermania.

Ai me lot në sy ka treguar se me djalin e tij ka qëndruar vetëm dy orë meqë nuk do t’i tradhtojë shokët minatorë. Ndërkohë thotë se kërkesa e djalit të tij ka qenë “vazhdojeni grevën”.