Mimoza Kusari-Lila tregon nëse do të lejohet mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë

Shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, ka thënë se vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë ose jo, varet vetëm nga kërkesa që Serbia duhet ta nis zyrtarisht në Kosovë.

“Përgjigja e institucioneve të Kosovës, është që vetëm me një pranim të kërkesës zyrtare nga shteti i Serbisë drejtuar shtetit të Kosovës, bazuar në ligjet e Kosovës dhe praktikat europiane, do të shqyrtohej vendimi pro apo kundër mbajtjes së zgjedhjeve. Deri në këto momente, ne nuk kemi asnjë kërkesë nga Serbia, ka kërkesë ndaj institucioneve ndërkombëtare por autoriteti sovran janë institucionet e Kosovës”.

“Edhe në Strasburg kemi kërkuar dhe është votuar që vetëm me praktikat e aplikueshme që nënkupton vetëm me kërkesën zyrtare nga një shtet në shtet tjetër mund të miratohet një kërkesë e tillë. Dy javë para datës zyrtare të mbajtjes së zgjedhjeve nuk ka kërkesë zyrtare për mbajtjen e zgjedhjeve”, tha ajo sot pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.