Mimoza Kusari flet për tema madhore: Plani franko-gjerman duhet të finalizohet me njohje reciproke

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se krerët e shtetit e kanë pranuar planin e franko-gjerman, teksa e konsideron si bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Kusari-Lila, ka pasur kritika sa i përket mbarëvajtjes së dialogut ndër vite, ndërsa shpreson që saga e dialogut të përfundojë me njohje reciproke.

Kusari-Lila thotë se plani franko-gjerman për Kosovën është një proces i cili duhet të finalizohet me njohje reciproke.

“Kryeministri edhe Presidentja tashmë janë deklaruar që ky plan ka paraqitur një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe ideja në këtë rast e Republikës së Kosovës është që është një proces i cili duhet domosdoshmërishtë të finalizohet me normalizim të plotë dhe njohje të ndërsjellët, prandaj edhe Kosova ka shprehur gatishmërinë që të jetë pjesë aktive e negociatave në mënyrë që të realizohet ajo që është pritur për shumë vite”, thotë ajo.

Kusari Lila po ashtu tha se disa marrëveshje të arritura më herët kanë sjellje ngecje në procesin e dialogut, kësisoj, duhet të shikohen mundësit të tjera për modifikim të marrëveshjeve.

“Megjithatë një gjë është e pa evitueshme se rrethanat të cilat kanë sjellë arritja e marrëveshjeve të deritashme dhe nënshkrimi i tyre, disa prej atyre që janë vlerësu edhe që nuk kanë qenë në favore të Kosovës sjellin ngecje në proces, për arsye që tash më duhet në procedurë të zbatimit të shikohen mundësit brenda hapësirës së modifikimit. Ndërsa edhe procesi në kredibilitet ka pasur lëndime serioze deri në vitin 2019 dhe po shpresojmë që sa më parë që është e rëndësishme në veçanti për subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës të arrihet marrëveshja për normalizim dhe Kosova të vazhdoj në rrugën e saj për integrimin Evropian”, u shpreh Kusari Lila.