Gjykata Themelore

Miliam Zeka thotë se me urdhër të Abelard Tahirit ishte ngritur aktakuza ndaj tij për kanosjen e prokurorit Afrim Shefkiu

Miliam Zeka është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për kanosjen ndaj prokurorit special, Afrim Shefkiu, duke thënë se aktakuza ndaj tij është ngritur me urdhër të ish-ministrit, Abelard Tahiri.

Zeka po akuzohet se në vitin 2018 në emisionin televiziv “DPT te Fidani” në televizionin T7, e ka kanosur prokurorin Shefkiu me fjalët “unë do ta ndjek këtë prokurorin tem, me gjyqe, me kanun dhe privatisht”, për shkak se ky i fundit kishte ngritur aktakuzë kundër tij për rastin e mashtrimit me viza.

Këtë deklarim i akuzuari Zeka e bëri në seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, pasi prokuroi i rastit, Blerim Igirshta  lexoi aktakuzën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Zotëri gjykatës, e para jam absolut i pafajshëm. E  dyta kërkoi nga prokuroria që të shfaqet në tërësi intervista ime, për të cilën pretendon dhe e treta, unë në tërësi të intervistës kam përmendur emrin e Aleksandër Lumezit, e kam përmendur emrin e Hashim Thaçit, kam thanë që këtë prokurorin tem që nënkupton që unë i kam nja 10 lënë dhe kurrë në jetën time nuk jam merrë me Afrim Shefkiun”, tha Zeka.

U akuzuari Zeka në fjalën hyrës tha se së është shumë më rëndësi motivi prej nga është ngritur kjo aktakuzë.

Sipas tij, aktakuzën ndaj tij prokuroria e ka ngritur me urdhër të ish-ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahir.

“E para, nuk është Afrimi ai i cili ka ba ndonjë kallxim penal ndaj meje, por prokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës Imer Beka ka marrë urdhër telefonik nga ish-ministri Abelard Tahiri”, tha Zeka.

Ndërkaq, prokurori Igrishta në fjalën hyrëse tha se Prokuroria e shtetit konsideron se kësaj gjykate i ka ofruar mjaftueshëm fakte të cilat do të dëshmojnë se i akuzuari që gjendet këtu ka kryer veprën penale si në aktakuzë . Ai tha se kjo do të vërtetohet edhe duke e dëgjuar të dëmtuarin.

Fjalën hyrëse të prokurorit Igrishta e ka mbështetur tani i dëmtuari prokurori Shefkiu, duke thënë se gjendja faktike e paraparë si në aktakuzë do të vërtetohet nga video-incizimet të emisionit të shfaqur në televizionin “T7”.

Ndryshe, në seancën e sotme mungoi mbrojtësi i të akuzuarit Zeka avokati, Florent Latifaj, ku u tha se i njëjti e ka njoftuar gjykatën se më nuk e përfaqëson të akuzuarin Zeka.

Gjykata kërkoi nga i akuzuari Zeka që për seancën e radhës ta sigurojë një avokatë mbrojtës, ngase në këtë rast avokati është obligativë. Por, i akuzuari Zeka tha se për shkak të gjendjes ekonomike nuk mund të angazhojë avokatë, duke e lutur gjykatën që ajo t’ia caktojë një avokat sipas detyrës zyrtare.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 23 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë kundër Milaim Zekës me arsyetimin se më 24 shtator 2018, në emisionin “DPT të Fidani” në televizionin T7, i njëjti e ka kanosur prokurorin e Prokurorisë Speciale, Afrim Shefkiun për shkak të detyrës zyrtare, i cili ndaj të pandehurit Zeka kishte ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe më 2 tetor 2018 ishte caktuar të mbahet seanca fillestare.

Sipas aktakuzës, Zeka e kishte kanosur prokurorin Shefkiu me fjalët “unë do ta ndjek këtë prokurorin tem, me gjyqe, me kanun dhe privatisht”, me ç’rast tek i dëmtuari Shefkiu ka shkaktuar ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetë.

Me këtë, Zeka po akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 185, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.