Milazim Krasniqi propozon që Qeveria mos të bëjë asgjë deri në mbushjen mend të Serbisë, që do të ndodhë brenda 6 muajsh

Profesori universitar Milazim Krasniqi ka dhënë një propozim për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet e fundit dhe për ta shtensionuar situatën në veri të Kosovës.

Krasniqi tha në Frontal të T7 se “Qeveria nuk ka ndonjë nguti të madhe”, ndërsa propozoi një moratorium për gjashtë muaj për çështjen e targave të automjeteve.

“Me dashamirësinë më të madhe, si qytetar i këtij vendi, kam propozuar që Qeveria jonë – edhe për hatër të amerikanëve – është dashur ta shpallë një moratorium në këtë çështje për gjashtë muaj. Dhe për gjashtë muaj me e heqë prej rendit të ditës këtë çështje”, tha ai.

Krasniqi beson se pasë gjashtë muajsh do të ndryshojë situata. Serbia, sipas tij, mund të izolohet nga Perëndimi nëse vazhdon të qëndrojë krah Rusisë deri atëherë.

“S’do të ishte problemi i njëjtë pas gjashtë muajsh. A e di pse? Sepse Serbia pas gjashtë muajsh nuk do të jetë e njëjtë. Të gjithë indikatorët janë që Serbia brenda gjashtë muajsh nuk do të mund të ulet në dy karrige. Ajo do të detyrohet ose të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe të bëhet me Perëndimin, ose do të shkojë plotësisht me Rusinë dhe do të izolohet nga Perëndimi”, thotë ai.

Krasniqi tha se “me një moratorium të tillë do të shkarkohej presioni dhe pastaj do të duhej të fillonte një dialog i brendshëm me serbët”.