Milatoviq: Rajoni duhet të gjejë një konsensus të përshpejtojë procesin e integrimit në BE

“Rajoni duhet të gjejë një konsensus për të ecur përpara me përpjekje të përbashkëta dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian”, tha presidenti malazez Jakov Milatoviq, në hapje të Samitit të krerëve të shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore që po mbahet në Mal të Zi.

 “Me takimin e sotëm përmbyllim një vit që solli sfida të shumta, të cilat e bënë edhe më të dukshme rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë dhe partneritetit për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e përhershme të Evropës Juglindore”, shtoi ai, raporton mediumi malazez Vijesti.

Ai vlerësoi se viti i kaluar u shënua me një sërë zhvillimesh pozitive në agjendën evropiane, duke përmendur hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, dhënien e statusit kandidat për Bosnje dhe Hercegovinën dhe heqjen e vizave për Kosovën.

“I vendosur si prioritet i përgjithshëm i presidencës sonë, integrimi evropian mbetet katalizatori kryesor për reformat e nevojshme politike, institucionale, ekonomike dhe të sigurisë për aspirantët nga rajoni ynë dhe më gjerë. Rajoni duhet të gjejë një konsensus për të ecur përpara me përpjekje të përbashkëta dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian, pra, nuk duhet parë si një fjalë e njëhershme, por si një balancë e përhershme e përgjegjësisë dhe përfitimeve reciproke”, shtoi ai.

 Milatoviq përkujtoi se Mali i Zi kohët e fundit festoi  gjashtë vjetorin e anëtarësimit në NATO dhe se anëtarësimi në Aleancë mund të shihet si një prelud për anëtarësimin e vendit në BE.

Presidenti i Malit të Zi tha se është privilegj që në fillim të mandatit të tij ka mundësinë të shkëmbejë mendime me zyrtarët më të lartë të pjesëmarrësve për mundësitë e zhvillimit të mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal në kuadër të këtij forumi të rëndësishëm.

“Mali i Zi i kushton rëndësi të madhe forcimit të lidhjeve rajonale dhe e sheh bashkëpunimin rajonal si parakusht për zhvillimin e përgjithshëm, stabilitetin dhe sigurimin e një cilësie më të mirë të jetës për të gjithë qytetarët tanë”, tha Milatoviq.