Nuk ia dolën ta sjellin në Milano në janar, por Leonardo dhe Maldini nuk kanë ndërmend të dorëzohen dhe po punojnë që të marrin pikërisht në verë sulmuesin spanjoll Gerard Deulofeu.

Futbollisti ka qenë pjesë e Milanit në gjysmën e dytë të sezonit 2016-2017, por më pas nuk u ble për shkak të pengesave që vinin nga Fair Play Financiar.

Megjithatë kuqezinjtë janë të bindur në cilësitë e tij dhe kanë marrë edhe miratimin e trajnerit Gattuso, ndaj tashmë po punojnë të bindim drejtuesit e Watfordit, që disponon kartonin e spanjollit.

Synimi i Milanit është që të marrë futbollistin në huazim me detyrim blerjeje për 20 milionë euro, por që do të rëndonin në bilancin e sezonit pasardhës, kur skuadra kuqezi të ketë “marrë frymë” nga pengesat financiare.

Negociatat pritet të mbyllen me sukses, pasi drejtuesit e Watfordit janë të njëjtët që kanë edhe Udinesen dhe kanë marrëdhënie mjaft të mira me ata të Milanit, ndërsa me marrjen e Deulofeut, pritet të kompletohet edhe reparti sulmues për sezonin e ardhshëm.