Milani pritet të dërgojë ofertë të re për Pulisic

Milani thuhet se do të bëjë një ofertë e re drejt Chelseat për sulmuesin anësor amerikan, Christian Pulisic.

Sulmuesi 24-vjeçar amerikan është duke u larguar nga Blutë këtë verë pasi kontrata e tij skadon vitin e ardhshëm, duke e bërë këtë afat transferimi herën e fundit për të fituar para nga anësori.

Milani i ka vënë sytë te Pulisic, por ka mbetur në ankth pasi dolën raporte se Lyoni kishte ofruar më shumë për amerikanin, i cili nga ana e tij refuzoi qasjen pasi ai dëshiron vetëm të bashkohet me kuqezinjtë.

Sipas La Gazzetta dello Sport dhe MilanNews, Pulisic nuk ka ndërmend të bashkohet me Lyon këtë verë dhe tani po pret që Milani të gjejë një marrëveshje me Chelsean. 

 Oferta e parë e kuqezinjve ishte rreth 14-15 milionë euro plus bonuse – e njëjta shumë si pjesa e fundit e amortizimit të tij në Chelsea. Lyon ofroi rreth 25 milionë euro për 24-vjeçarin.

Për Blutë, propozimi i Milanit ishte shumë i ulët, por një kompromis mund të arrihet në javët e ardhshme dhe oferta e re mund të jetë rreth 20-22 milionë euro duke përfshirë bonuset.