Gjithçka është gati për derbin e Milanos mes Milanit dhe Interit.
San Siro pritet të jetë i mbushur plot e për plot teksa për momentin kanë mbetur vetëm pak bileta në sektorin e tifozëve zikaltër për t’u shitur.
Por edhe supersfida nuk ka filluar ende Milani e ka fituar derbin e tij përsa i përket arkëtimeve nga shitjet e biletave.
Derbi numër 223 do të jetë derbi i rekordit historik me 5.7 milionë euro të ardhura për Milanin (mbi 78 mijë tifozë). Rekord të ardhurash për klubin kuqezi dhe për të gjithë skuadrat e Serie A përsa i përket një ndeshjeje të kampionatit italian.
Kujtojmë që në ndeshjen e parë Interi arriti të përfitojë 5,2 milionë euro ( mbi 78 mijë tifozë) nga derbi, ndërsa në ndeshjen ndaj Barcelonas në Champions arkëtoi 5.8 milionë euro, pikërisht sfida mes zikaltërve dhe katalanëve ka vendosur edhe rekordin historik përsa i përket arkëtimeve nga tifozët, të një skuadre italiane në të gjitha kompeticionet.
Derbi i Madoninës do të transmetohet në rreth 200 vende të botës dhe do të jenë mbi 600 operator të akredituar në stadium, duke përfshirë 260 gazetarë, 60 fotografë dhe mbi 300 televizione do të kenë punonjësit e tyre aty. E gjithë sfida do të pasqyrohet nga 25 kamera në cilësinë më të lartë të figurës dhe zërit, 4K.







