Milan Radojiçiq pas humbjes së përkrahjes nga serbët e Kosovës, kërcënon qytetarët që t’iu binden grupeve kriminale

I sanksionuari nga SHBA-të dhe i kërkuari nga autoritetet e Republikës së Kosovës, kreu i grupit kriminal serb, Milan Radojiçiq, njëherit nënkryetar i Listës Serbe përmes një video në të cilën pretendon se e ka xhiruar nga territori i Kosovës, është paraqitur i dëshpëruar dhe me tone kërcënuese.

Pas humbjes se përkrahjes nga qytetarët serbë për shkak të aktiviteteve të tyre kriminale dhe dështimit për organizimin e disa provokimeve kundër Kosovës, Radojiçiq është munduar që të kërcënoi serbët të cilët më nuk i binden grupeve kriminale dhe të cilët tashmë e kanë kuptuar se me vite janë përdorur vetëm si instrument politik nga Beogradi dhe grupet e tij kriminale me në krye Radojiçiqin.

Paraqitja e Radojiçiqit, gjuha e mediave serbe si Alo, Kosovo Online dhe gjitha mediave tjera të kontrolluara nga Beogradi të cilat me ditë të tëra kanë terrorizuar opinionin publik në Serbi me tituj lufte për Kosovën, është vazhdimësi e gjuhës kërcënuese të përdorur nga krerët serbë Vuçiq, Vulin, Petkoviq e të tjerë.

Për të kuptuar kush është Radojiçiq, ‘bosi i veriut’, lexoni këtë përmbledhje:

Milan Radojiçiq është i afërt i Zvonko Veselinoviq, të njohur si ‘baba i urës së Ibrit’. Për Veselinoviqin është raportuar shumë, madje është thënë se ndikimi i tij politik në veri por edhe në Serbi është aq i madh, sa ai kishte vendosur për heqjen ose jo të barrikadës mbi urën e Ibrit.

Me ikjen dhe angazhimin e tij në Beograd, Zvonko i la pushtetin në veri Milan Radojiçiqit, që nga disa serbë po quhet si ‘Zoti i veriut’, krejt kjo pasi në tri komunat me shumicë serbe në veri nuk mund të merret asnjë vendim pa e mbështetur bosi i dyshuar i mafisë serbe.

Për Rajojiçiq’in u tha shumë, por vlen të sqarohet se pushteti i tij shtrihet në veri me kontrollin që ushtron ai mbi Listën Serbe. Milan Rajojiçiq dhe disa të afërm të tij, janë parë në fushatën e Listës Serbe në Leposaviq.

Me rritjen e ndikimit politik, Rajojiçiq mori pushtet edhe në terren duke u bërë ‘zot’ i veriut që vështirë kontrollohet nga organet e sigurisë. Por, edhe ai kontroll i vogël, është menaxhuar nga Rajojiçiq’i, pasi shefin e Stacionit Policor në veri, Zheljko Bojiqin, e ka mik të afërt. Kështu, pushteti i Rajojiçiqit shtrihet edhe mbi Policinë.

Rajojiçiq nisi operacionet e tij që në zgjedhjet për president të Serbisë, ku grupi i tij bleu votat e romëve të Mitrovicës për Aleksandar Vuçiqin. Më pas, ai merrte pjesë në çdo aktivitet të Listës Serbe.

Rrahjen e disa policëve kosovarë në veri që kishin shkuar për të sekuestruar disa materiale që po regjistronin popullsinë serbe, u mor vesh i pari nga Rajojiçiq. Kjo pasi kishte qenë vetë ai që kishte organizuar sulmin ndaj tyre.

Raportimet për djegien e shumë veturave në veri, përfshi këtu edhe veturën e tashmë të ndjerit Oliver Ivanoviq, dyshohet se e bënte vetëm një grup. Ishte ai i Milanit, i cili me këto akte synonte të frikësonte çdokënd që nuk i përshtatej atij.

Frika që mbillte Rajojiçiq nuk lidhej vetëm me djegie veturash. Ai dyshohet se hedhte edhe granata nëse ishte e nevojshme. Burimet e shumta e lidhnin Rajojiçiqin me sulmin me granata ndaj shtëpive të dy serbëve vetëm e vetëm pse ishin bërë pjesë e FSK’së.

Rajojiçiq ishte përfshirë edhe në një sulm ndaj ish-koordinatorit serb për dialog, Borko Stefanoviq, në një kafene në veri, e ku kishte marrë pjesë edhe Edita Tahiri.

Në këtë rast nuk kishin ndërhyrë Policia e Kosovës, ani pse ishin vënë në rrezik jetët e disa personave. Mos ndërhyrja e Policisë, ishte bërë pikërisht për shkak të kontrollit që ka Milani mbi ta.

Radojiçiq është i akuzuari kryesor për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, por ai vazhdon të fshihet në Serbi dhe të mbrohet nga pushteti i Vuçiqit.