Milaim Zeka: Sot në Kuvend ishte demonstrim edhe ndaj deputetëve të partisë sime

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka sot kishte deklaruar se nuk do të bëjë kuorumin e seancës së Kuvendit.

Deputeti nga radhët e NISMA-s, Milaim Zeka tha se arsyeja e këtij refuzimi ishte një lloj demonstrimi ndaj mos-reagimit të Kryeparlamentarit, Kadri Veseli dhe disa deputetëve të partisë së tij, ndaj arrestimit të tij para disa javësh, duke thënë se kudo që do të duhej vota e tij, ai nuk do të votonte.

“Ky ishte lloj demonstrimi nga ana ime, dhe sa herë të varet Kuvendi nga vota ime, unë nuk do të bëjë kuorumin e seancës dhe as nuk do të votojë, përpos ligjit për ushtrinë dhe ligjeve të tjera që unë i konsideroj se janë në interesin e qytetarëve”, tha Zeka për Ballkani.info.

Më tutje deputeti Zeka u shpreh i rebeluar edhe ndaj disa bashkëpartiakëve të tij, si dhe kryetarit të grupit parlamentar të partisë NISMA, Bilall Sherifi, për mos-reagimin e tyre kundrej arrestimit të tij.

“Kjo gjithashtu ishte një lloj demonstrimi edhe kundër disa deputetëve të partisë NISMA dhe kryetarit të grupit parlamentar të NISMA-s që kanë deklaruar se nuk përzihen në çështjet e drejtësisë, kur mua nuk më duket që ‘përzihesh’ në çështjet e drejtësisë nëse kundërshton arrestimin e deputetit të Kuvendit, për deklarata që i ka dhënë në televizion publik”, ka përfunduar Zeka. /Ballkani.info/