Milaim Zeka godet fort Jakup Krasniqin, thotë se partia e tij do të shkojë e vetme në zgjedhje

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherit kryetari i Partisë Euroatlantike të Kosovës, Milaim Zeka thotë se partia e tij nuk hyn në koalicion parazgjedhore me asnjë parti. Sipas tij, në zgjedhjet e parakohshme PEK do të shkojë e vetme.

“Koalicionet parazgjedhore me cilëndo parti, janë maja e mashtrimeve dhe rrena që partitë politike ia bëjnë elektoratit. Vazhdim i kësaj rrene dhe i këtij mashtrimi është, për të cilën unë kam reaguar mbrëmë, ka qenë edhe deklarata e Jakup Krasniqit, i cili tha se ne mund të shkojmë në koalicon me Partinë Demokratike të Kosovës. Kjo flet se partitë politike në Kosovë nuk janë prishë mes veti për punë të parimeve të ndërtimit të shtetit, dhe punën e menaxhimi të parasë publike, janë prishë mes veti thjesht për interesat e tyre personale”, tha Zeka për Ballkani.info.

Zeka shtoi se koncepti i partisë së tij nuk lidhet me asnjë parti tjetër, dhe se PEK hap dyert për të gjithë personat e pavarur të cilët kanë mision ndërtimin e shtetit.

“Tek ne janë të mirëseardhur të gjithë njerëzit e pavarur, të gjithë artistët, intelektualët, të gjithë qytetarët, të cilët mendojnë se mund ta ndryshojnë vendin tonë, politikën e vendit tonë. Nuk kanë nevojë të anëtarësohen në partinë tonë. Kur të hyjnë në parlament të vazhdojnë rrugën e tyre politike” tha kreu i PEK-ut.

Zeka gjithashtu theksoi se lista e PEK-ut do t’i ketë 110 kandidatë për deputetë, 50% prej tyre do të jenë nga diaspora dhe 50 % femra.

Zgjedhjet e parakohshme pritet të mbahen në fund të shtatorit apo në fillim të tetorit, nëse shpërndarja e Kuvendit bëhet në seancën e thirrur më 22 gusht. /Ballkani.info/

loading…