Filip Milaçiq, profesor në Universitetin e Evropës Qendrore (CEU) në Austri, duke qenë se Serbia aktualisht ndodhet në mes të një kryqëzimi kritik ndërmjet demokracisë liberale dhe autoritarizmit populist, u shpreh skeptik nëse presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, do t’i normalizojë ndonjëherë marrëdhëniet me shtetet fqinje një rajon, posaçërisht me Kosovën.

Në një artikull të fundit, profesori malazez shkroi se presidenti serb e ka shndërruar në mjet politik dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi që i shërben kryesisht për ta mbajtur pushtetin, ndërsa nuk do të heqë dorë nga e ashtuquajtura çështje e Kosovës derisa ekzistojnë indikacione se ai është interesuar të ruajë “stabilokracinë” për një kohë të gjatë.

“S’ka asnjë arsye për të besuar se Vuçiqi do të heqë dorë nga mjeti më i mirë politik duke zgjidhur çështjen e Kosovës. Ajo i shërbeu si një pretekst për përmbysjen e demokracisë – për mohimin e të drejtave kushtetuese dhe personalizimin e pushtetit në mënyrë që ai të mund të ‘shpëtojë kombin’ duke përçmuar kritikët demokratë të regjimit si tradhtarë”, shkroi Milaçiq.

E perspektiva e demokracisë në Serbi është ende e pasigurt. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorshme ndaj stabilitetit rajonal, duke u përmbajtur nga minimi i shteteve fqinje. Serbia, gjatë gjithë historisë, ka marshuar sipas një daulleje krejt të ndryshme nga pjesa tjetër e botës perëndimore, duke rreshtuar veten krah Rusisë dhe Kinës.

“Vuçiq nuk është i vetmi lider ballkanik me mendësi autoritare. Nëse ai arrin të autokratizojë më tej Serbinë, kjo do të prekte të gjithë Ballkanin Perëndimor, një rajon me demokraci të brishta që janë përkeqësuar, ose thënë më së miri, kanë stagnuar vitet e fundit. Autokratë të tjerë aspirantë në rajon i kushtojnë vëmendje të madhe tani”, shkroi Milaçiq mes tjerash.

VIDEO BONUS: