Përfitimet që Bob Dole bëri për Bosnjë dhe Hercegovinën gjatë luftës nuk janë harruar: Ai ndihmoi në vetëmbrojtje
Kanë kaluar dy vjet nga vdekja e senatorit amerikan pro kosovar, Bob Dole, por i cili ishte përkrahësi kryesor i heqjes së embargos së armëve në Bosnje dhe Hercegovinë gjatë luftës së viteve 1992-1995.
Prandaj edhe boshnjakët e nderojnë dhe e respektojnë atë, por jo sa kosovarët.

Dole, përpara se të mbështeste boshnjakët, e pati mbështetur fuqishëm luftën e Kosovës për liri dhe pavarësi.
Ish-senatori republikan dhe ish-kandidati presidencial Bob Dole vdiq në dhjetor 2021 në moshën 98-vjeçare. Megjithatë, opinioni boshnjak e kujton edhe sot e kësaj dite për shkak të përpjekjeve të jashtëzakonshme që ai bëri për mirëqenien e Bosnje-Hercegovinës, shkruan portali boshnjak klix.ba, transmeton Ballkani.info.
Përkatësisht, pengesa kryesore për përpjekjet vetëmbrojtëse gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë ishte embargoja e armëve e Kombeve të Bashkuara ndaj Jugosllavisë nga viti 1991, e cila e pengoi Bosnjën të armatos veten dhe ngriu epërsinë ushtarake të Serbisë dhe forcave serbe të Bosnjës.
Ishte senatori Dole ai që inkurajoi Joe Biden aso kohe, tash president i SHBA-së, që të mbështeste me elokuencë përpjekjet e BeH për të hequr embargon, prandaj ai mbetet i njohur edhe sot e kësaj dite për mbrojtjen e mbijetesës së BeH-së sovrane dhe të pavarur.
Senatori Dole dhe Biden vizituan Sarajevën e rrethuar në vitin 1994. Ata u takuan me liderin e atëhershëm boshnjak Alija Izetbegoviq dhe zyrtarë të tjerë. Në letrën që i dërgoi Izetbegoviqit pas vizitës, Dole shkruante se ishte thellësisht i prekur nga guximi i Sarajevës.
Bob Dole i përcolli publikut botëror atë që donin të dinin qytetarët e Bosnje-Hercegovinës, d.m.th., ai formësoi opinionin publik në SHBA dhe ushtroi presion ndaj pushtetit ekzekutiv për të vepruar. Qëllimi ishte të nxitej administrata e atëhershme e George H.W. Bush, dhe më vonë Bill Clinton, për të marrë qëndrime më vendimtare për çështjen e BeH.
Natyrisht, Ligji për Vetëmbrojtjen e Bosnjë-Hercegovinës i vitit 1995 është një nga dokumentet më të rëndësishme të miratuar nga Kongresi i Bosnjë-Hercegovinës.
“Është e rëndësishme të theksohet se Bush ishte realist dhe se ai nuk kishte asnjë interes për këtë lloj ndërhyrjeje, por interesimi i senatorit Dole për zonën e ish-Jugosllavisë filloi edhe më herët. Ai ishte i interesuar për çështjen e shqiptarëve etnikë në këto zona edhe para viteve 1980, gjë që e bëri atë të informuar mirë dhe të kuptonte forcat nacionaliste që u lëshuan kur Jugosllavia u zhyt në kaos në vitet 1990”, shkruan portali boshnjak.

Ai ishte shumë më pro-boshnjak dhe pro-ndërhyrës se shumica e udhëheqësve të administratës së Clintonit. Megjithatë, në një farë mënyre më shumë rëndësi u jepej Clintonit ose Holbrooke-t, ndërsa Dole kishte rol shumë më tepër dhe më të rëndësishëm. Prandaj, nuk është rastësi që BeH pothuajse tridhjetë vjet pas luftës ka lidhje më të dobëta me Uashingtonin, sepse lidhjet nuk ishin ndërtuar, dhe ato që ekzistonin nuk u mbajtën mjaftueshëm.
Megjithatë, për gjithë përpjekjet e tij gjatë viteve 1990, Dole u shpall qytetar nderi i Sarajevës dhe me atë rast iu dha “Çelësi i Sarajevës”. Pa dyshim, ai do të mbahet mend si një kampion i vërtetë i çështjes boshnjake në Capitol Hill.

Të kujtojmë se Bob Dole ka përmendore në Prishtinë, pasi që kontributi i tij për Kosovën ishte i jashtëzakonshëm dhe nuk do të harrohet kurrë. /Ballkani.info/







