Miftaraj: Kur të vjen puna me i thanë Kryeprokurorit te Shtetit me kry punen për çka paguhet 40 mijë euro në vit, s’ka sen prej kësaj pune

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka lëshuar një koment lidhur me reagimin e Ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, i cili i bëri thirrje Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezit, që të nisë hetimet lidhur me vaksinat ilegale anti-Covid, të futura në Mitrovicën e Veriut nga Serbia.

Miftaraj, në reagimin e tij, thotë se nuk ka nevojë t’i rikujtohet Kryeprokurorit të Shtetit ta bëjë punën e tij, për të cilin shton se paguhet 40 mijë euro në vit.

“Kur te bohet puna mi thane dikush Kryeprokurorit te Shtetit me kry punen per cka paguhet mbi 40 mije Euro ne vit, e kur edhe e ka obligim kushtetues dhe ligjor, bash sen ska prej kesaj pune”, thuhet në reagim.

Ndër të tjera, Miftaraj i IKD’së ka ironizuar tutje edhe me mungesën e angazhimit në çështjen në fjalë të Kryeprokurorit Lumezi, duke pyetur se “ a më lehtë është me e ndjekë krimin a me jetu jetën ne Brezovicën e bukur me bore, nën shijen e mishit dhe një gote verë”.

Më herët, Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi i ka bërë thirrje Kryeprokurorit të Shtetit dhe u.d Drejtorit të Policisë së Kosovës për fillimin e hetimeve ndaj hyrjes ilegale të vaksinave në Mitrovicën Veriore.

Selimi ka thënë se vaksinat dhe trajtimet e tjera mjekësore ilegale përbëjnë cenim të sigurisë kombëtare të Kosovës.

Udhëheqësi i dikasterit të Drejtësisë ka thënë se futja e vaksinave ‘Pfizer’ në Mitrovicë Veriore nënkupton se ka vend për kontrabandim në territorin e Kosovës.

“Ftoj Kryeprokurorin e Shtetit dhe U.D. Drejtorin e Policisë së Kosovës që të fillojnë hetimet për hyrjen e vaksinave ilegale në veri. Përtej obligimit tonë që të sigurojmë shëndetin e të gjithë qytetarëve tanë pa dallim etnie, Republika e Kosovës ka sistemin e prurjes së vaksinave përmes Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKShP-së. Çdo vaksinë ose medikament që hyn jashtë ketij sistemi mund të jetë ilegal dhe ta cenoj sigurinë kombëtare të Republikës”, u tha ndër të tjera në reagimin e Selimit.