Ehat Miftara

Miftaraj: Kanë krijuar “armik” Kushtetuesen që të arsyetohen për dështimet në reforma

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se Qeveria e Kosovës ka krijuar ‘armik’ Gjykatën Kushtetuese që të arsyetohet për dështimet në reforma.

Përpara kësaj, Miftaraj tha se kjo Qeveri ka probleme serioze në profesionalizmin për të hartuar ligje dhe politika në përputhje me Kushtetutën.

“Është e kuptueshme që kjo Qeveri po ka probleme serioze në profesionalizëm për të hartu ligje, politika që janë në pajtim me Kushtetutë. Nëse kjo Qeveri do të kishte vullnet politik që t’i adresonte komentet e Komisionit të Venecias qoftë te Vettingu, qoftë tek Ligji për KPK-në, qoftë tek Byroja, jam i sigurt që do të vinte me një ligj i cili do të mund të kalonte filtrat e Gjykatës Kushtetuese”, tha Miftaraj.

Drejtori ekzekutiv i IKD-së, tha se Qeveria ka ndërtuar narrativë që të hartojnë ligje në kundërshtim me Kushtetutën, e pastaj të kenë armik Kushtetuesen, që t’i arsyetojnë dështimet e veta për të bërë reforma.

“Sidoqoftë, si duket e kanë ndërtuar një narrativë që të hartojnë ligje që janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe pastaj ta kenë një armik diku atje përmes të cilit në njëfarë mënyre arsyetohen se pse po iu dështojnë reformat në drejtësi dhe ky armik fatkeqësisht për ata është Gjykata Kushtetuese”, tha ai. /BetimipërDrejtësi