MIE akuzon Ahmetin se nuk u angazhua për gjetjen e lokacionit për sallën e koncerteve

Ministria e Integrimit Evropian nuk ka as mundësi as të drejtë të bëj ridestinim të mjeteve, atë e bën vetëm BE-ja

Ministria e Integrimit Evropian ka reaguar lidhur me ridestinimin e mjeteve të BE-së të parapara për ndërtimin e sallës së koncerteve në Prishtinë.

Ata përmes një njoftimi për medie kanë mohuar se Ministria ka kërkuar nga BE ridestinimim e mjeteve financiare të parapara për ndërtimin e sallës së koncerteve.

Sipas tyre, menaxhimi i fondeve të BE-së në Kosovë është i formës së centralizuar, pra është BE ajo që vendos për fonde të saj e jo Kosova.

Ata thonë se ministria ka kërkuar nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, t’i informojë për gjendjen mbi lokacionin e sallës së koncerteve, por që ky i fundit, nuk iu është përgjigjur asnjëherë.

“Ne kemi punuar intensivisht me Komunën e Prishtinës, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Zyrën e BE-së në Prishtinë për të gjetur lokacionin e nevojshëm për ndërtimin e sallës. Përpos takimeve që kemi pasur, më 2 maj 2019 Ministria e Integrimit Evropian i ka dërguar shkresë Kryetarit Ahmeti duke i kërkuar të na informojë për gjendjen mbi lokacionin e sallës së koncerteve. Kurse Kryetari Ahmeti, nuk është përgjigjur asnjëherë në kërkesën tonë, ndërkohë që tash paraqitet si i brengosur”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Sipas tyre, meqë lokacioni i propozuar nga Komuna e Prishtinës nuk i kishte të zgjidhura të gjitha çështjet pronësore juridike, Zyra e BE-së i ka njoftuar që mjetet financiare që ishin të parapara për ndërtimin e sallës së koncerteve në kuadër të pakos IPA 2019, do të ridestinohen për Dekomisionimin e Kosovës A.

“Ky projekt është po ashtu në kuadër të IPA 2019 dhe i cili sipas vlerësimeve paraprake të Zyrës së BE-së po del të jetë më i shtrenjtë se sa ishte paraparë. Sipas Zyrës së BE-së, kur të gjendet lokacioni tjetër për sallën e koncerteve, atëherë BE do të ndajë mjetet e nevojshme financiare në kuadër të fondeve në ardhje IPA III 2021-2027”, thuhet në kumtesë.

Sipas tyre, edhe pse Zyra e BE-së ka bërë ridestinimin e mjeteve financiare, ajo çfarë është e rëndësishme, është fakti që mjetet nuk janë humbur.

Atha thonë se MIE nuk ka shkruar letër për ridestinim, por ka qene BE-ja që ka vendosur dhe i ka njoftuar lidhur me këtë vendim.

“Kryetari Ahmeti mos angazhimin e vet për të gjetur një lokacion tjetër për ndërtimin e sallës nuk mund ta mbuloj me shfajësim dhe hedhje të fajit aty ky nuk është”, thuhet në reagim.

loading…