Meta: Respektoj Kushtetutën, do jap përgjigje institucionale për Lleshin

Presidenti Ilir Meta tha të enjten se në ditët e ardhshme do të japë përgjigje institucionale në lidhje me kërkesën e dytë të kryeministrit Edi Rama për dekretimin e Sandër Lleshajt në postin e Ministrit të Brendshëm.

“Unë jam President për të respektuar i pari Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, këtë e kam bërë dhe e bëj me përkushtim maksimal dhe nuk ka asnjë presion që mund të ndikojë tek unë për të cenuar Kushtetutën. Unë jam në pozitën e Presidentit pas një eksperience në pozitën e Kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit edhe e di shumë mirë se si funksionon procedura e emërimit të ministrit në vendin tonë, edhe nga pozita e Kryeministrit edhe nga ajo e Kryetarit të Kuvendit edhe tani nga pozita e Presidentit. Në ditët e ardhshme do të merrni përgjigje institucionale dhe korrekte dhe unë nuk kam ndër mend të përfshihem në debate të karakterit politik apo spekulativ”, tha Meta në Konferencën Ndërkombëtare të Gazetarëve të Europës Juglindore.