Meta përdor shprehjen e Ramës: Referendumi, shpata e Demokleut për Esat Pashët që i ngulin thika pas shpine Kosovës

Nga selia e LSI me teserën e partisë në dorë presidenti Ilir Meta ka përdorur shprehjen me të cilën kryeministri Edi Rama iu drejtua opozitës në Kuvend disa ditë më parë kur u votua propozimi kundër raportit të Dick Martyt.

“Referendum do të jetë shpata e Demokleut mbi të gjithë kleptokratët, Esat Pashët e rinj të këtij vendi që ngulin thika pas shpine edhe shtetësisë së Kosovës dhe interesave të Kosovës”, tha Meta duke folur për rikthimin e tij në politikën aktive.

Teksa në parlament diskutohej projektrezoluta kundër raportit të Dick Marty-t, Kryeministri Edi Rama hodhi akuza mbi Partinë Demokratike se sipoas tij e përdor Kosovën sa herë ka kriza brenda vetes.

Sipas kreut të qeverisë Partia Demokratike ka ngulur thika në shpinën e Kosovës dhe ka qenë ajo që ka votuar raportin e Marty-t.

Rama u shpreh se sa të jetë Partia Socialiste në pushtet nuk do të ndërmarrë hapa pa dakordësinë e aleatëve që mundësuan që Kosova të jetë shtet i pavarur dhe demokratik.

“Është sa e thjeshtë aq dhe e neveritshme pse e bëni këtë gjë. Për një arsye se u kujtuat për genocidin në Srerenicë, kujtoheni për genocidin në Kosovë dhe po të shohësh historinë e deklaratave dhe rezolutave shikon dhe ndryshimin si nata me ditën mes jush dhe nesh. Mes asaj që quhej PD dhe tani nuk e di si quhet dhe ne që quhemi PS. Sa herë ka pasur një krizë që ju është dashur ta kapërceni keni futur në mes viktimat e Kosovës. Sa herë ju është dashur të nxirrni nga axhenda probleme të caktuara, merreni… shikoni se e dini më mirë historinë e partisë suaj dhe shikojeni si përkon me rezolutat dhe deklaratat për Kosovën kjo histori. Pa lidhje! Fare! Zgjoheni në 2022 dhe kujtoheni për Srebrenicën. S’keni lidhje ju fare me Srebrenicën. Jeni gati t’i rizhvarrosni edhe njëherë dhe t’i rifusni në varrin masiv ata atje për t’ju thënë kujt të mundeni që socialistët nuk duan. Ju jeni gati ta bëni lëmsh edhe njëherë nga e para politikën ndërkombëtare të Shqipërisë për të ardhur këtu për të shitur dënglat që dëgjuam. Cilin genocid doni ju të aprovojë parlamenti i Shqipërisë meqë thoni që kemi frikë? E keni harruar ju, unë nuk e kam harruar, por e keni harruar ju që ai shtet, i lirë, sovran, demokratik është krijuar nga ata pa të cilët as ju, as ata në Prishtinë nuk duhet të bëjnë asnjë hap? Në qoftë se ju bashkë me ata në Prishtinë doni të bëni hapa të tillë bëjeni. Për sa kohë qeverisim ne në këtë vend, nuk e bëjmë. Sepse përsa të kuturisemi ne të ndërmarrim një hap të tillë në 2022 për të zgjidhur problemet mes foltores dhe gojores duhet dakordësia e aleatëve tanë se nuk mund të bëhemi si foltorja dhe gojorja në sytë e botës dhe në sytë e asaj bashkësie demokratike pa të cilën nuk do të kishte Kosovë fare, as të pavarur as demokratike.

Këta jeni ju! U miratua rezoluta për Srebrenicën apo nuk u miratua? U miratua atëherë kur ishte planifikuar të miratohej, në ditën e Srebrenicës jo në ditën e foltores dhe të gojores. S’keni ç’i bëni gomarit mbrapa këtu dhe i bëni samarit dhe për samar doni të përdorni Kosovën. Tani të kalojmë te raporti se kemi disa fjalë për raportin sepse zanafilla e raportit të Dick Marty-t është vota e PD-së në Këshillin e Europës, përkundër votës së Damian Gjiknurit dhe Shpëtim Idrizit kundër Dick Marty-t. Dick Marty-t ia keni hapur ju rrugën. Po kështu hajdeni këtu dhe thoni çfarë mendoni ju për Hashim Thaçin? Është mirë aty ku është në burg? Këto shikoni ju sepse thikat që ju i keni ngulur Kosovës nga dita e parë duke masakruar UÇK si terrorist si marksist-leninist deri në ditën e fundit, duke e ngritur thikën dhe duke ia ngulur mu në gjoks presidentit të Kosovës i përkasin historisë që ju as nuk i shlyeni dot, as nuk i zhbëni dot dhe as nuk i mbuloni dot. Historia do të tregojë se ju patriotët e mëdhenj jeni në fakt thika në shpinën e Kosovës. Kështu keni qenë gjithmonë dhe kështu do mbeteni sepse bishti i shtrembur nuk drejtohet”, u shpreh Rama.

Ish kryeministri Sali Berisha ka kundërshtuar deklaratën e kryeministrit Rama. Berisha tha se “nuk është e vërtetë është se është votuar raporti i Dick Martyt në Këshillin e Europës”. Sipas Berishës është votuar rezoluta në të cilën nuk ka asnjë fjalë as për krime, por ka kërkesën që hetimi i të dhenave të raportit të Dick Martyt të bëhet në Shqipëri e Kosovë.