Meta OKB-së: Nga anëtarësimi i Kosovës do të përfitonit shumë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, mbajti një fjalim në debatin e përgjithshëm të sesionit të 75-të të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me temë “E ardhmja që duam, Kombet e Bashkuara që na nevojiten: duke ripohuar angazhimin tonë të përbashkët ndaj multilateralizmit – përballja me COVID-19 përmes veprimit tonë të efektshëm shumëpalësh”.

Mes shumë temave kombëtare dhe ndërkombëtare, presidenti Meta në fund të fjalimit ceku edhe problemin e Kosovës. Anëtarësimi i saj në OKB, sipas Metës, do të sillte përfitime jo vetëm për Kosovën, por edhe për mbarë bashkësinë ndërkombëtare. “Inkurajojmë dhe mirëpresim faktin se faktori shqiptar vazhdon të mbështesë kursin evropian dhe euroatlantik në të gjithë rajonin, duke forcuar në të njëjtën kohë bashkëpunimin rajonal dhe pronësinë në hartimin dhe realizimin e projekteve ambicioze”, tha Meta, duke përshëndetur njëherësh edhe marrëveshjen e 4 shtatorit në Washington, shkruan KOHA Ditore.

“Ne e mirëpresim marrëveshjen për normalizimin ekonomik të arritur midis Kosovës dhe Serbisë, e cila u ndërmjetësua dhe u garantua nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Mbetemi shpresëplotë se kjo marrëveshje do të injektojë një dinamizëm të ri në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë. Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, të dyja vendet duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të arritur një marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme të njohjes reciproke, si dhe të normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes tyre”, deklaroi gjatë fjalës së tij presidenti Ilir Meta.

Meta në vijim të fjalimit tha se Shqipëria beson fort se Republika e Kosovës është një eksportuese e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan. “Kosova ka ngritur në këmbë një kornizë të fortë kushtetuese dhe ligjore që siguron mbrojtjen e papërjetuar më parë të të drejtave të pakicave dhe të trashëgimisë së tyre kulturore. Kjo është plotësisht në përputhje, madje edhe e tejkalon kuadrin ligjor përkatës evropian për sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Sot Kosova është anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare dhe nismave rajonale. Anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë këtu Kombet e Bashkuara, do të sillte përfitime jo vetëm për Kosovën, por edhe për mbarë bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë Meta.

Ndër temat kryesore që u ndal kryetari i shtetit shqiptar ishte integrimi i Shqipërisë në BE. Presidenti Meta siguron se Shqipëria vijon të jetë në të njëjtën linjë me politikën e jashtme të Unionit në rajon. Meta apeloi për përmbushje të standardeve të kërkuara para Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Sipas tij, objektivi më i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë mbetet ende anëtarësimi në BE. Duke u ndalur në vitin e vështirë që kaloi vendi, goditur nga dy tërmete të fuqishme, që shkaktuan më shumë se 50 të vdekur dhe një miliard dollarë amerikanë dëme, Meta falënderoi kombet mike që e ndihmuan Shqipërinë në kohën kur kishte aq shumë nevojë. Duke folur për përballjen me COVID-19, Meta kërkoi më shumë kujdes për grupet shoqërore në nevojë dhe për të rinjtë. Sipas tij, efektet ekonomike do të ndikojnë që të ketë më shumë të papunë. Ndërkohë nuk mungoi një thirrje e presidentit të Republikës për shtetet anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB që të mbështesin kandidaturën e Shqipërisë si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit. “