Meta kundër Ramës: Po mbyll mediat që kritikojnë qeverinë, pasaktësitë me tërmetin janë pretekst

Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama mbylli portalin “Jeta osh qejf” për shkak se sipas qeverisë ka përhapur panik në popull me lajme të rreme për tërmetin.

Policia arrestoi dy administratorët dhe një vajzë nga Durrësi, më të njëjtën akuzë.

Por në ndryshim nga Edi Rama, Presidenti Meta vlerëson rolin e medias nëkëtë situatë, duke mirëkuptuar edhe gabimet.

“Falenderoj të gjithë gazetarët e terrenit, operatorët dhe stafet teknike mbështetëse për raportimin e saktë dhe në kohë reale ditë-natë, në kushte aspak të lehta, të situatës tepër të rëndë dhe të pasojave tragjike në jetë njerëzore dhe prona, që la pas tërmeti i tmerrshëm i 26 nëntorit.

Me punën e tyre të palodhur, gazetarët dhe mediat kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ndihmë të banorëve të prekur nga pasojat e kësaj fatkeqësie tepër të rëndë”, shkruan Meta.

Ai del kundër vendimit të qeverisë për mbylljen drastike të mediave të caktuara, pasi sipas tij ky është pretekst për të sulmuar mediat kritike të qeverisë.

“Duke i inkurajuar mediat të vazhdojnë të tregojnë seriozitet dhe përmbajtje maksimale në raportimin e lajmeve, me qëllim shmangien e informacioneve të paverifikuara, besoj se në kuadrin e kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme, çdo pakujdesi si pasojë e nxitimit për dhënien e lajmit të fundit, të mos përdoret si pretekst për të sulmuar apo mbyllur media kritike

Gazetarët kanë qenë ndër heronjtë e vërtetë të këtyre ditëve dhe për këtë meritojnë një falenderim dhe mirënjohje të madhe!”, përfundon Meta.