Kompania “Meta” ka hequr nga rrjeti social Facebook një përmbajtje të publikuar nga dyqani i veshjeve “28.6” nga Beogradi, e cila promovonte figurën e ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Srpska, Ratko Mladiq, në rolin e një “modeli” për markën e njohur të syzeve “Ray-Ban”.

Nga “Meta” kanë bërë të ditur se përmbajtja është larguar pasi ka shkelur rregullat e platformës që ndalojnë lavdërimin e personave të rrezikshëm dhe shkeljen e të drejtave të pronësisë intelektuale.

“E kemi hequr këtë përmbajtje sepse shkel rregullat tona, të cilat nuk lejojnë glorifikimin e individëve të rrezikshëm dhe shkeljen e të drejtave të pronësisë intelektuale të palëve të treta”, ka deklaruar kompania “Meta” për “Detektor”.

Sipas raportimit të “Detektor”, reklama paraqiste Mladiqin përmes inteligjencës artificiale, duke e shfaqur të buzëqeshur nga kënde të ndryshme, ndërsa promovonte markën e veshjeve. Në një bluzë me imazhin e tij ishte vendosur mbishkrimi “Collection 1995”, që lidhet drejtpërdrejt me vitin e gjenocidit në Srebrenicë.

Në sfondin e videos dëgjohej kënga “Push It to the Limit” nga filmi i njohur “Scarface”, që trajton jetën e një gangsteri.

Përmbajtja kishte marrë mbështetje nga më shumë se 2 mijë përdorues të Facebook-ut, ndërsa mbi 40 persona e kishin shpërndarë atë. Në mbi 500 komentet e publikuara, shumica përmbanin relativizim të krimeve të Mladiqit dhe mesazhe mbështetëse.

“Detektor” raporton se përmbajtja ishte publikuar nga një përdorues dhe nuk bëhej fjalë për reklamë të paguar, apo shpenzime të lidhura me promovimin e saj.

Maida Culahoviq, koordinatore për politikat publike në organizatën “Pse jo”, ka deklaruar se platformat digjitale në Bosnje e Hercegovinë nuk kanë një kornizë të qartë ligjore që i detyron ato të përshtatin politikat e moderimit me ligjet vendore.

Sipas saj, Facebook-u dhe platformat e tjera përdorin standardet e tyre të komunitetit, të cilat në përgjithësi ndalojnë gjuhën e urrejtjes dhe përmbajtjet që nxisin dhunë, por shpesh nuk e marrin parasysh kontekstin lokal historik dhe shoqëror.

“Lavdërimi i kriminelëve të luftës apo relativizimi i krimeve të përcaktuara nga gjykatat nuk njihen si forma të veçanta të përmbajtjes së ndaluar në kuadër të standardeve të komunitetit”, ka thënë ajo.

Culahoviq ka theksuar se sistemet e moderimit të platformave mbështeten kryesisht në inteligjencën artificiale, e cila mund të identifikojë dhunën eksplicite apo fjalë të caktuara, por shpesh nuk arrin të kuptojë referencat historike dhe politike lokale.

Ajo ka shtuar se ky problem është më i theksuar në tregjet më të vogla dhe në gjuhët që kanë më pak mbështetje teknologjike, pasi kompanitë investojnë më pak burime në moderimin e përmbajtjeve në këto zona.

Ratko Mladiq, ish-komandant i Ushtrisë së Republika Srpska, në vitin 2021 u dënua përfundimisht me burgim të përjetshëm nga Mekanizmi Ndërkombëtar për Tribunalet Penale për gjenocidin në Srebrenicë, përndjekjen e boshnjakëve dhe kroatëve, terrorizimin e popullsisë së Sarajevës dhe marrjen peng të pjesëtarëve të UNPROFOR-it.

Sipas “Detektor”-it, edhe më herët janë dokumentuar raste kur dyqane online në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi kanë shitur veshje me simbole dhe mesazhe të lidhura me ekstremizmin e djathtë, përfshirë përmbajtje që glorifikojnë kriminelë lufte dhe mohojnë krimet e kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.