Ajshe Zeqiri

Mësuesja e Marigonës: Mbes pa gjumë sa herë më kujtohet çka i ndodhi asaj

Për gati dy vite ishte udhërrëfyesja e jetës së Marigonës.

Por këtë të premte, mësuesja e saj Ajshe Zeqiri nuk po e pret atë as afër shkollës, as shtëpisë.

Ajo po qëndron para Gjykatës Themelore të Ferizajt, me një pankartë ku shkruhet “Motivi i vrasjes, patriarkaliteti” duke kërkuar drejtësi për ish-nxënësen, që u vra mizorisht.

Kur flet për të, thotë se shqetësohet sa herë kujton tragjedinë që i ndodhi.

Me të përfunduar seanca, ajo u shfaq e përlotur por më e lehtësuar pasiqë Krivaça u dënua me burgim të përjetshëm.

Megjithatë, asaj nuk i pëlqeu shifra e viteve në të cilat i dyshuari tjetër do të qëndrojë prapa grilave.

Zeqiri, ishte vetëm njëra nga pjesëmarrëset në një protestë e cila ishte organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.

Edhe nga kjo organizatë duan dënim më të lartë për Arbër Sjediun.

Për të njëjtën arsye protestuan edhe Rrjeti Grave të Kosovës por shpresojnë që aktgjykimi për Krivaçën të mos ndryshojë.

Protesta para Gjykatës zgjati pak minuta, deri në shpalljen e vendimit të trupit gjykues.