Messi rikthehet në stërvitje te Barcelona

Pasi u lëndua në ndeshjen ndaj Sevillas në La Liga, Lionel Messi është rikthyer në stërvitje te Barcelona.

Ylli argjentinas humbi ndeshjet e javës së kaluar në Champions League ndaj Interit, dhe “El Clasicon” e së dielës kundër Real Madridit.

Pasi kanë kaluar 11 ditë prej lëndimit në krahë që Messi e pësoi përballë andaluzianëve, kapiteni i katalansave është rikthyer në stërvitje.

Gjendja e 31 vjeçarit do të vazhdojë të monitorohet nga stafi mjekësor i klubit të Barcelonës, ndërsa nuk dihet ende data e saktë kur do të rikthehet në fushë.

Messi këtë sezon ka zhvilluar 12 paraqitje teksa numëron po aq gola në të gjitha kompeticionet.