Lionel Messi bën hapa pas. Pasi u largua nga përfaqësuesja e Argjentinës pas zhgënjimit në “Rusi 2018”, “Pleshti” ka pranuar ftesën e trajnerit të ri të bardhekaltërve, Lionel Scaloni, kështu që emri i tij është përfshirë në listën e 23 të ftuarve për miqësoren me Venezuelën më 23 mars.
E përditshmja argjentinase “La Nacion”, nënvizon se sulmuesi i Barcelonës nuk ka qëndruar kurrë më parë kaq gjatë larg skuadrës.
Hera e fundit kur Messi ishte në fushë me fanellën e Argjentinës ishte më 30 qershor 2018, në ndeshjen me Francën në Botëror.
Kur të zbresë në fushë në “Wanda Metropolitano” me shiritin e kapitenit të krah, do të ketë mbushur 261 ditë mungesë me përfaqësuesen. Pa Messin Argjentina ka luajtur 6 ndeshje miqësore gjatë thuajse 10 muajve të fundit.
Gjithsesi, “La Nacion” nuk saktëson nëse ylli i Barcelonës, që në qershor mbush 32 vjeç do të luajë edhe në miqësoren me Marokun me 26 mars.







