Messi iu bashkua Parisit me shumë bujë, largohet pas vërshëllimave dhe dënimit

Lionel Messi mbërriti dy vjet më parë i veshur me një bluzë me mbishkrimin “Ici C’est Pari” (Ky është Parisi) – një thirrje e preferuar në mesin e tifozëve të Paris Saint-Germainit – dhe u prit me brohoritjet e shumta “Messi! Messi! Messi!”.

Superylli i futbollit do të largohet nga ekipi të shtunën jo aq i nderuar sikur kur arriti. Brohoritjet janë zëvendësuar me fyerje dhe shaka javët e fundit në stadiumin “Parc des Princes”, ku fituesi i Kupës së Botës do ta luajë ndeshjen e fundit për kampionin e Ligue 1.

Trajneri Christophe Galtier konfirmoi të enjten se ndeshja e fundit e edicionit është gjithashtu fundi i kohës së Messit në PSG. Messi do të luajë në duelin që Parisi e zhvillon kundër Clermontit të shtunën, përpara se të përshëndetet. Kontrata e tij skadon në fund të këtij muaji dhe argjentinasi ka preferuar mos ta vazhdojë bashkëpunimin me klubin francez.

Trajneri Galtier ndihet i nderuar që ka stërvitur një lojtar si Messi dhe shpreson se të shtunën argjentinasi do të përshëndetet ngrohtësisht nga tifozët dhe jo të fyhet.

“Kam pasur privilegjin ta stërviti lojtarin më të mirë në historinë e futbollit”, tha Galtier. “Kjo do të jetë ndeshja e tij e fundit në ‘Parc des Princes’ dhe shpresoj se ai do ta ketë pritjen më të ngrohtë”.

PSG-ja angazhoi Messin në gusht të vitit 2021 me ambicien për të fituar përfundimisht Ligën e Kampionëve. Mirëpo, skuadra është ende në pritje të këtij suksesi. Edhe pse PSG-ja ka vendosur rekord në kampionatin e Francës me 11 tituj të fituar, në Evropë nuk i ka ndihmuar as Messi. Në dy edicionet me Messin në përbërje, Parisi nuk ka avancuar përtej 1/8 së finales.

“Messi gjithmonë ka qenë i rëndësishëm për Parisin dhe gjithmonë në dispozicion”, shtoi Galtier.

Aventura e Messit në Francë ka qenë e hidhur. Pavarësisht statistikave mjaft të mira, një pjesë e tifozëve të klubit nuk kanë qenë aspak të kënaqur me argjentinasin. Madje ata e kanë vërshëllyer vazhdimisht emrin e tij dhe kjo është vërejtur edhe javët e fundit. Pasi u përpoq të përshtatej me ligën franceze – shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” shënoi vetëm gjashtë gola në ligë në 26 ndeshjet e tij të para – Messi u përmirësua këtë edicion pasi pati një mirëkuptim më efikas me sulmuesin Kylian Mbappe. Pas një fillimi të mirë të edicionit aktual, Messi megjithatë nuk arriti ta përsëriste atë formë qëkur u kthye nga Kupa e Botës “Katari 2022” që e fitoi me Argjentinën. Në 31 ndeshje të luajtura deri më tani në kampionat, Messi ka shënuar 16 gola dhe ka bërë po aq asistime. Në total sulmuesi 35-vjeçar ka 21 gola e 20 asistime në të gjitha garat për Parisin.

“Këtë edicion Messi ka qenë shumë i mirë dhe nuk mendoj se komentet apo kritikat ndaj tij ishin të justifikuara. Ai ka qenë në dispozicion të ekipit në çdo formë, qoftë si shënues apo edhe si asistues i mirë. E ka kryer punën e tij në mënyrën më të mirë të mundshme”, është shprehur Galtier.

Pavarësisht mbështetjes së Galtierit, vlerësimi i PSG-së për Messin nuk ka qenë gjithmonë pozitiv. Muajin e kaluar klubi e pezulloi pas një udhëtimi të paautorizuar në Arabinë Saudite. Messi ka kontratë marketingu me Arabinë Saudite për të promovuar turizmin dhe është lidhur me një transferim të mundshëm në futbollin e këtij vendi gjatë kësaj vere.

Messi ka pranuar ofertë të majme nga skuadra Al-Ittihad, që i ka ofruar 1.2 miliardë euro për dy vjet. Gjithashtu është folur edhe për një rikthim të tij në Barcelonë, ku kaloi pjesën më të madhe të karrierës, ose një lëvizje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të luajtur në MLS.

“Nuk mund të them asgjë për të ardhmen e tij pasi nuk kam informata, por kudo që do të shkojë do të jetë i suksesshëm dhe vendimtar”, ka shtuar Galtier.

Messi iu bashkua Barcelonës në moshën 13-vjeçare dhe u largua në verën e vitit 2021 pasi fitoi plotë 35 trofe. Ai ndihmoi klubin të fitonte katër trofe në Ligën e Kampionëve, 10 tituj në La Liga dhe 7 trofe të Kupës së Mbretit.