Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, tha se Lionel Messi dëshiron ta provojë sërish futbollin ndërkombëtar, ndërsa super ylli duket i etur për t’u kthyer tek “Albiceleste”.
Messi nuk ka luajtur për kombëtaren e tij që nga Kampionati Botëror i vitit të kaluar, por pesë herë fituesi i “Topit të Artë” do të jetë në dispozicion për dy miqësoret e ardhshme, të këtij muaji. Kapiteni 31-vjeçar është përfshirë në listën e të thirrurve të trajnerit Scaloni për përplasjet me Venezuelën dhe Marokun, këtë muaj.
Duke folur për kthimin e Messit, Scaloni u tha gazetarëve: “Ne morëm një zhgënjim të madh nga Kupa e Botës në Rusi, Messi edhe më shumë. Ai mori vendimin që të reflektonte dhe qetësohej. Në gjashtë ndeshjet e para të ciklit tim si trajner nuk erdhi. Me kalimin e kohës, Leo e pa që ne u rritëm, vëzhgoi mënyrën se si po luajmë dhe është i lumtur. Messi dëshiron ta provojë edhe një herë kombëtaren.
Ne jemi të lumtur dhe dëshirojmë të provojmë edhe një herë për trofe me peshë, bashkë me kapitenin. Ai po luan shumë ndeshje te Barcelona dhe, në këtë situatë, shumë lojtarë do të dëshironin të pushonin. Sidoqoftë, Messi preferoi të vijë. Vendimi nëse do të luajë një ndeshje apo dy, do të merret nga unë”.
Messi është golashënuesi kryesor i Argjentinës, me 65 gola, por ende duhet të fitojë një titull të lartë ndërkombëtar me gjigandët e Amerikës së Jugut. Ai nuk ka qenë në gjendje ta udhëheqë kombëtaren e tij drejt fitimit të një Kupe Bote, duke iu afruar fort kësaj, në finale e vitit 2014, kur “Albiceleste” humbi minimalisht përballë Gjermanisë.
Ylli i Barcelonës është eliminuar me Argjetinën edhe tri herë, në finalet e “Copa America”.
“Albiceleste” do të përballen me Venezuelën në Madrid, më 22 mars, përpara se të udhëtojnë për në Marok, katër ditë më vonë.







