Messi bllokoi kalimin e De Ligt te Barcelona

Në fillim te Barcelona, pastaj te PSG dhe në fund… firma me Juventusin. Ka qenë një verë e nxehtë për mbrojtësin e talentuar të Ajaxit, De Ligt, vetëm 19 vjeç dhe që shumë shpejt pritet të vishet bardhezi.

Në fakt, “Zonja e Vjetër” ishte opsioni “C”, i fundit, pasi Mino Raiola nisi xhiron nëpër Europë, fillimisht duke takuar drejtuesit e Barcelonës.

Madje, raporti i klubit katalanas me Ajaxin, pas firmës së De Jong, ishte i shkëlqyer, por jo se nuk ka qenë në të shkuarën. Kështu, palët ranë dakord për gjithçka, rreth 70 mln euro, por edhe për rrogën dhe bonuset. Por, në fund, diçka u prish! Aq më shumë Ajaxi fitonte dhe vazhdonte të befasonte, aq më shumë De Ligt dilte në konferenca duke folur me një farë “mendjemadhësie”.

Kështu, Lionel Messi, që kishte pyetur ndërkohë edhe De Jong, sipas gazetarit të “Sky”, Massimo Marianella, vendosi veton: “Atë nuk e dua këtu! Futbollist shumë i mirë, por mendjemadh. i ka hipur vetja në qejf dhe rrezikon të na prishë harmoninë në dhomat e zhveshjes”.

Klubi, pas kësaj bisede me numrin “10”, braktisi gjithçka. De Ligt u nis drejt Parisit, aty ku firma ishte pranë, por ardhja e Leonardos prishi planet. Në fakt, Raiola nuk ka raport të mirë me brazilianin, që nuk ka ndër mend të paguajë komisionet e famshme dhe kushtet e superagjentit.

Kështu, pista e fundit mbeti Juventusi, që gjithashtu dëshiron Pogba. Sakaq, gazetari Marianella shprehet dhe se Messi ka ndikuar te mungesa e transferimit të Griezmann, pasi gjithashtu i konsideruar pak mendjemadh dhe jo i thjeshtë dhe në shërbim të ekipit.