Mësohet se si e ‘gjeti’ Kurti letrën e famshme të Thaçit me të cilën ‘godet’ edhe Mustafën dhe Haradinajn

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur që të bëjë publike një letërkëmbim të vitit 2013-të ndërmjet Hashim Thaçit, në cilësinë e Kryeministrit të Kosovës dhe të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Por, i njëjti letërkëmbim i nënshkruar nga Thaçi ishte konfirmuar edhe nga dy kryeministrat tjera të Kosovës. Fillimisht Isa Mustafa, në cilësinë e Kryeministrit të Kosovës e kishte konfirmuar dhe miratuar këtë letërkëmbim ndërmjet Kosovës dhe NATO-s. Ndërsa, pas tij, të njëjtën gjë e kishte bërë edhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Burimet tona tregojnë se përfaqësuesit e NATO-s të njëjtën procedurë e kishin ndërmarrë edhe me kryeministrin aktual, Albin Kurtin.

Siç e thotë edhe Kurti në shkresën e tij, përfaqësuesit e NATO-s e kanë njoftuar atë me ekzistimin e atij letërkëmbimi, i cili është vetëm shprehje e vullnetit politik.

Në këtë takim, sipas burimeve tona, përfaqësuesit e NATO-s i kanë kërkuar Kurtit që të pranojë dhe miratojë këtë letërkëmbim njëjtë siç kishin bërë edhe kryeministrat paraprakë, Thaçi, Mustafa dhe Haradinaj.

Kryeministri Mustafa dhe as kryeministri Haradinaj asnjëherë nuk e kanë kundërshtuar këtë marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe NATO-s. Me letrën e tij, Kurti duket se nuk po përpiqet ta godasë vetëm Hashim Thaçin, por edhe Isa Mustafën dhe Ramush Haradinajn. /Ballkani.info/