Mesiq nga veriu: Do të isha i sigurt sikur të kisha ardhur edhe vetëm

Ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq, ka vizituar sot veriun e Mitrovicës nën masa të rrepta të sigurisë. Ai u shpreh se ka dashur të shoh nga afër të dyja pjesët e qytetit, ndërsa sa i përket shoqërimit të tij nga ana e forcave të shtuara të sigurisë, tha se do të ndihej i sigurtë edhe sikur të kishte ardhur vetë.

“E dini, unë jam kureshtar. Kam dashur të shoh si njërën ashtu edhe Mitrovicën tjetër. Në fakt bëhet fjalë për një Mitrovicë… Po shoh se gjithçka është në rregull dhe qetë… Unë do të isha i sigurtë sikur të kisha ardhur edhe vetëm këtu”, ka thënë Mesiq.

Sipas tij, kontrolli i plotë i territorit nga ana e institucioneve të Kosovës do të varet nga marrëveshja e përgjithshme.

Mesiq theksoi se luftë nuk do të ketë më dhe njerëzit duhet të bashkëpunojnë mes vete, sepse vetëm kështu të gjithë do të jenë të kënaqur.

“Gjithçka varet nga marrëveshja. Lufta ka lënë pasojat e saj, duhet të gjithë ta kuptojnë se luftë nuk ka dhe nuk do të ketë, dhe njerëzit duhet të bashkëpunojnë sepse vetëm kështu të gjithë do të jenë të kënaqur”, tha ish-presidenti kroat Mesiq.

Mesiq gjatë ditës së djeshme është pritur edhe nga krerët më të lartë të shtetit si presidentja Osmani, kryekuvendari Konjufca si dhe kryeministri Kurti.