Në ditëlindjen e 55-të të ish-komandantit të UÇK-së, Rexhep Selimi, ka reaguar me një mesazh prekës bashkëluftëtari i tij, ish komandanti Daut Haradinaj.
Përmes një postimi emocional, Haradinaj kujtoi vitet e rinisë dhe rrugën e përbashkët në luftë për liri, duke theksuar se edhe sikur ta dinin se një ditë do të përballeshin me gjykime, ata do ta bënin sërish të njëjtën luftë.
“Rexha 55 sot. Jeta na takoi shumë të ri, në kërkim të lirisë. Nuk e kishim menduar atëherë që unë njëherë e sot ti do të gjykoheshim, por edhe sikur ta dinim, do të kishim bërë luftën e njëjtë edhe 100 herë, të pastër, çlirimtare, në mbrojtje të pragut”, shkroi Haradinaj.
Ai e përmbylli mesazhin me një urim dhe shpresë për ditë më të mira për mikun e tij.
“Të pres në liri miku im, u bëfsh 100!”, përfundoi ai.
Postimi i Haradinajt ka ngjallur reagime të shumta dhe emocione në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë i janë bashkuar urimeve për Selimin dhe kanë kujtuar sakrificat e luftës për liri.







