Merkel: S’ka asgjë për të dërguarin special, dialogu pas zgjedhjeve në Kosovë

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha sot se nuk mund të thoshte asgjë në lidhje me raportimet se Gjermania dhe Franca mund të caktonin një të dërguar special për dialogun Kosovë-Serbi.

Merkel tha në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq se Gjermania dhe Franca janë përpjekur, dhe janë ende duke u përpjekur, të iniciojnë dialogun si dhe të bëjnë diçka në lidhje me taksën e vendosur nga autoritetet kosovare ndaj produkteve serbe.

Ajo kujtoi se procesi ishte ndërprerë dhe theksoi se dialogu do të rifillojë pas zgjedhjeve të Kosovës të 6 tetorit.

“Deri më tani, nuk ka qenë e mundur të vendoset dialogu për shkak të taksës”.

Kancelarja gjermane kur u pyet nga reporterët nëse Berlini dhe BE-ja kanë ndonjë afat kohor kur mund të arrihet ndonjë marrëveshje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe nëse data e pranimit në BE ajo e vitit 2025 është akoma e vlefshme për Serbinë, ajo tha: “Sa më shpejt aq më mirë”.

“Nuk ka afate kohore kur disa gjëra duhet të mbarojnë, por sa më shpejt aq më mirë”, tha Merkel.

loading…