Merkel kundërshton humbjen e influencës pas njoftimit se do të largohet

Angela Merkel hodhi poshtë sot opinionet që flasin për një humbje të influencës në botë pas njoftimit të tërheqjes së saj progresive nga pushteti në Gjermani, ndërkohë që gara për zëvendësimin e saj ka filluar.

“Mendoj se kjo nuk do e ndryshojë influencën në negociatat ndërkombëtare. Përkundrazi, kam më shumë kohë për t’u përqendruar në detyrat e shefit të qeverisë”, deklaroi kancelarja në Berlin gjatë një konference për shtyp me presidentin egjiptian Abdel Fattah Al Sissi.

Në pushtet prej 13 vitesh, Angela Merkel u detyrua dje që të shpallte tërheqjen e saj politike pas humbjes së radhës elektorale të partisë së saj gjatë një votimi rajonal në Hese.

Ajo njoftoi se mandati i saj aktual si kancelare që përfundon në vitin 2021 do të jetë i fundit dhe se do të tërhiqet që në dhjetor nga presidenca e partisë së saj Unioni Kristian Demokrat (CDU).