Shqipëria

Meritan Shabani mund t’i bashkohet Shqipërisë

Trajneri brazilian i Shqipërisë, Silvinho ka krijuar një grup me mjaft cilësi në Kombëtaren shqiptare, i cili pritet të pasurohet edhe me prurje të reja në muajin tetor.

“Sport Ekspres” bëri me dije se Marvin Çuni dhe Arbnor Muçolli do të jenë lojtarët që pritet të marrin ftesën për ndeshjet e radhës së kuqezinjve.

Një tjetër element i përfolur për t’ju bashkuar Shqipërisë në muajin tetor është Meritan Shabani. Lojtari ka qenë në fokusin e Kombëtares edhe më herët, kur ishte gati për t’u ftuar nga Edoardo Reja, por një dëmtim i rëndë bëri që grumbullimi i tij të mos ndodhte.

Ndërkohë vetë Silvinho e ka mbajtur nën vëzhgim 24-vjeçarin, teksa e ka ndjekur nga afër te Grasshoppers-i që në muajin maj. Megjithatë, sipas informacioneve që ka siguruar “Sport Ekspres”-i, Shabani nuk do të jetë pjesë e Kombëtares për ndeshjet e muajit tetor. Arsyeja është se Silvinjo dëshiron që në ndeshjen miqësore kundër Bullgarisë t’i japë hapësira lojtarëve që kanë qendruar në stol përgjatë kësaj kohe, në mënyrë që të ruajë harmoninë dhe frymën e grupit në ekipin tonë kombëtar.