Mërgimtarët largohen nga Kosova, deri të dielën realizohen mbi 600 fluturime

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” njofton se brenda javës janë të planifikuara 665 fluturime.

Sipas Zyrës për Informim të ANP-së, këto fluturime pritet të realizohen deri ditën e diel të kësaj jave.

“Deri të dielën të planifikuara janë 665 fluturime në ardhje dhe shkuarje”, thuhet në një përgjigje për Telegrafin nga kjo Zyre.

Për dy javët e para të muajit gusht, duke e shfrytëzuar këtë aeroport, në vendin tonë kanë ateruar 738 aeroplanë, në total me mbi 91,634 mërgimtarë.

“Nga data 1 deri 15 gusht janë realizuar 738 fluturime me 125,124 udhëtarë në shkuarje, ndërsa 91,634 udhëtarë kanë ardhur në Kosovë. Gjithsej shkuarje-ardhje janë 216,758 udhëtarë”, kishte thënë kjo Zyre për Telegrafin.

Ndërsa, gjatë tërë muajit korrik ishin realizuar 1,327 fluturime me 221,728 udhëtarë në ardhje dhe 118,477 në shkuarje.

Po ashtu, mërgata vazhdon të jetë njëri nga burimet kryesore të financimit të shpenzimeve familjare në Kosovë. Që nga shpallja e pavarësisë, dërgesat e tyre kanë vazhduar të shënojnë rritje.

Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se brenda kësaj periudhe janë dërguar 12.6 miliardë euro.

Vlera më e madhe e remitencave është ajo e vitit 2020, ku pavarësisht pandemisë COVID-19 mërgata ka dërguar 1.18 miliard euro.

Ndryshe, nga rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, të cilët i janë përgjigjur regjistrimit është rreth 350 mijë.