Mërgim Lushtaku: Bekim Jashari është në panik nga humbja e thellë që do të pësojë

Lista e Pavarur, Bekim Jashari, përmes një njoftimi në faqen zyrtare në facebook kanë denoncuar disa shkelje duke thënë se Mergim Lushtaku, Jetullah Geci dhe militantë të PDK-së po i’u bëjnë presion votuesve para qendrave të votimit.

Por këtë e ka mohuar deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili përmes një statusi në Facebook thotë se pasi dëgjoi për rastin e sulmit ndaj një qytetari në Kllodernicë, ka lajmëruar policinë, dhe se nuk ka bërë presion e as kërcënuar askënd.

Lushtakut thotë se Bekim Jashari është në panik siç pohon nga humbja e thellë që do të pësojë.

Postimi i tij i plotë:

Bekim Jashari në Panikë!

Qytetarë të nderuar,

Duke parë shpifjet e ulëta të Bekim Jasharit, detyrohem t’i përgjigjem!

Të gjithë në Skënderaj më njohin dhe e dinë shumë mirë se mua nuk më përkon me karakterin tim, kërcënimi apo presioni.

Por, po shihet se sipas të gjitha informatave që kemi në terren, Bekimi dhe ekipa e tij është në panikë nga humbja e thellë. Pasi që unë dëgjova për rastin e sulmit ndaj një qytetari në Kllodernicë, menjëherë e lajmërova policinë.

Më lajmëruan se janë të informuar për rastin dhe se janë nisur për në vend të ngjarjes. Unë mbërrita para patrollës së policisë, ku të njejtit persona që kishin sulmuar qytetetarin që nuk është bindur të votojë Vetëvendosjen për asamble dhe Bekimin për kryetar, erdhën dhe ngritën zërin para meje.

Unë ju tregova se askush nuk mund të detyroj dikë për të votuar X kandidatin, sepse lufta është bërë që qytetarët të vendosin për të drejtën e tyre pa presion.

Fatbardhësisht me ardhjen e patrollës së policisë, pasi i përshëndeta dhe i falënderova për ardhjen, kërkova nga ta që të qëndrojnë afër kësaj qendre të votimit për të mbajtur rend dhe ligj!

Pa panikë!

Me dinjitet votoni për ata që ju unifikojnë!

Mergim Lushtaku