S-Class

Mercedesi sjell zyrtarisht modelin e ri të “mbretit” S-Class, ka dizajn mahnitës

Prodhuesi i njohur gjerman i veturave luksoze, Mercedes-Benz, pjesë e grupit Daimler AG, i ka publikuar zyrtarisht pamjet e para pa kamuflazh të limuzinës luksoze, S-Class, e cila nga shumë njerëz vlerësohet si vetura më e mirë në kategorinë e vet.

Gjenerata e re e modelit të njohur do të jetë me dimensione më të mëdha se modeli i vjetër dhe do t’i kthehen edhe rrotat e pasme për ta zvogëluar në masë të madhe qarkun e kthimit.

Modeli i ri do të ketë motorë të ndryshëm, varësisht nga tregu. Për shembull, në Kinë do të mund të blihet modeli me motor me katër cilindra, ndërsa modeli me motorin më të madh është ai me 12 cilindra, shkruan Motor1.

Prodhuesi i njohur do të ofrojë versione me naftë, hibrid dhe me rrymë, ndërsa më vonë pritet të dalë në treg edhe modeli sportive, S63 AMG.

Modeli i ri ka pësuar ndryshime të dukshme edhe në pjesën e brendshme, ku në mes ka një ekran të madh, të vendosur në mënyrë pothuajse vertikale, në anën e djathtë të shoferit.

Një ndryshim tjetër është edhe prania e qeseve të ajrit në pjesën ballore për pasagjerët që ndodhen në ulëset e pasme.

Sistemi i asistimit me zë është më i avancuari deri më tani në tregun e veturave me 27 gjuhë të ndryshme që i njeh.

Prodhuesi ka plane që të mos i prodhojë më modelet S-Class Coupe dhe S-Class Cabrio.