Mentor Nazarko, analist politik dhe redaktori në portalin Konica.al ka thënë që kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka bërë shumë në arritjen e forcimit të pozicionit të pozitës së Kosovës.

Nazarko në Info Magazine në Klan Kosova theksoi se Haradinaj megjithatë duhet të mundohet që të arrijë të forcojë pozicionin e shqiptarëve.

“Haradinaj ka të drejtë që të shpreh ndjeshmërinë por është ndjeshmëri e ekzagjeruar a është për arsye elektorale kjo është një çështje që nuk mund të hyjë. Kryeministri në shumë qëndrime të veta i ka shërbyer forcimit të pozitës së Kosovës por nëse do të konvergjente pozicionet e veta edhe me presidentin edhe me opozitën e Kosovës edhe me kryeministrin e Shqipërisë sigurisht pozicioni i shqiptarëve do të ishte më i fortë”.

“E kuptoj që brenda në Kosovë është duke u zhvilluar një betejë politike dhe është ajo që mua nuk më pëlqen pasi në rastin e bisedimeve Kosovë – Serbi nuk mund të shndërrohet në një motiv të ashpër luftë politike”.

Nazarko ka thënë që çështja e negociatave është “çështje kombëtare” dhe sipas tij nuk mund të luhet me çështje të tilla në nivel partiak.

“Besoj që ajo çfarë ka ndodhur në bisedime nuk ka marrë ndonjë formë të prerë dhe nuk ka ndonjë dokument që thuhet se Thaçi e ndau Kosovën apo Rama dhe Haradinaj e ndaloi ndarjen pra nuk ka tekst ose plan që e dëshmon një gjë të tillë”.