Valdet Hashani

Meningjit sëmundje shumë serioze – Hashani: Përhapet në pishina e përmes ujit të pijes, kemi mjetet për trajtim

Meningjit është një sëmundje shumë serioze, por që është e trajtueshme dhe se spitalet janë të pajisura me materialet dhe barna të mjaftueshme për trajtimin e saj, i tha Ekonomia Online, Valdet Hashani, kryeshef i Departamentit të Mjekësisë Familjare në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

Sipas tij, infeksioni mund të përhapet nëpërmjet kontaktit masiv tek personat që frekuentojnë pishinat apo përmes ujit të pijes, e në këtë rast ai bëri thirrje që të bëhen kontrollet e ujit, pastrimi i pishinave dhe klorizimi i ujit të pijes.

Hashani tha se sëmundja e meningjitit është pezmatim i cipave të trurit, ku pezmatimi mundet të jetë bakterial ose viral. Ai ka sqaruar e simptomat e kësja sëmundje janë temperaturë, dhimbje koke, vjellje, që ndodhin për shkak të rritjes së presionit intrakraniale.

“Realisht Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka raportuar mbi përhapjen e disa rasteve, numrin konkret nuk e di, po janë përhapur janë paraqitur si meningjit por duke mos u specifikua a është meningjit bakterial apo viral. Edhe pse simptomatologjia pak a shumë është e njëjtë edhe mënyra e përhapjes është e njëjtë. Kjo meningjiti për shikuesit e juaja si informacion është pezmatim i cipave të trurit, cipave të cilat e mbulojnë trurin, pezmatimi mundet me qenë qoftë bakterial ose viral. Ndërsa simpotmatologjia është zakonisht temperaturë, dhimbje koke, vjellje, për shkak të rritjes së presionit intrakraniale”, tha ai.

Kryeshefi tha se infeksioni i kësaj sëmundje paraqitet nëpërmjet kontaktit masiv në personat që frekuentojnë pishinat ose nëpërmjet ujit të pijes, por që sipas tij, rastet që tani më janë paraqitur vendin e burimit e kanë nga pishinat.

“Infeksioni i kësaj sëmundje, ose këtij infeksioni paraqitet nëpërmjet kontaktit masiv zakonisht në personat që shkojnë në bazenë, qofshin ato publike ose private, do të thotë ne vendet masovike ku frekuentohen. Andaj edhe si kërkese imediate është që të bëhet kontrollimi i ujerave, qoftë klorefikimi i tyre, pastrimi i bazeneve por duhet që të behët kontroll dhe klorizimi i ujit të pijes, kjo sigurisht që bëhet nga organet kompetente që na furnizojnë me ujë, mirëpo nuk kemi raportim se ka ardhur nga këto pika. Rastet sporadike të cilat janë paraqitur sigurisht se vendin e burimit e kanë nga bazenet ose nga vendet ku janë larë ose frekuentuar numër më i madh i pushuesve në bazene të cilat veç kanë qenë të infektuara me mikroorganizma, qoftë ato bakterie ose virus”, tha ai.

Hashani tha se kjo sëmundje është shumë serioze, por që sipas tij, ajo që është kryesore është menaxhueshme, raporto EO.

Hashani theksoi se për këtë sëmundje në spitalet e vendit janë të pajisura edhe kanë materialet edhe barna të mjaftueshme për trajtimin e saj.

Sipas doktorit ajo që është e rëndësishme është që të bëhet edukimi shëndetësorë i popullatës, që ata të mos mblidhen në ato pishina ku është raportuar se është përhapur sëmundja.

“Realist sëmundja është shumë serioze, është e menaxhueshme por çka është kryesore, në qoftë se paraqiten në kujdesin parësorë shëndetësor, mjekët tanë obligohen që edhe bazuar në legjislacionin në fuqi që të bëjnë raportimin e të gjitha sëmundjeve qofshin ato infektive ose jo infektive, në veçanti ato infektive brenda 24 orëve më qëllim që të merren masat e parandalimit të përhapjes. Me që kjo sëmundje ose ky infeksion është infeksion që mund të manifestohet në masë”, tha ai.

“Realisht varësisht prej shkaktarit është edhe trajtimi, në qoftë se meningjiti është bakterial atëherë trajtohet nëpërmjet antibiotikeve, është protokolli por edhe në qoftë se behët me virale prapë ekziston protokolli për trajtimin e kësaj sëmundje. Në veçanti spitalet janë të pajisura edhe kanë materialet edhe barna të mjaftueshme për trajtimin e kësaj problematike”.

“Por çka vlen të ceket është se duhet që të bëjmë edukim shëndetësorë të popullatës, këto ditë të mos mblidhen në këto bazenet ose pishinat qofshin ato publike ose private, qoftë se kanë dëgjuar se ndonjërën nga to është përhapur ndonjë infeksion. Do me thanë kjo është një para masë e momentit nuk do të thotë që ato duhet që të mbyllen por qëllimi është që të izolohet vendi ku ato janë paraqitur për herë të parë”, tha ai për EO.

Njoftimi i IKShPK-së:

Me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik dhe parandalimit të infeksioneve të ndryshme karakteristike për stinën e verës, dhe në veçanti parandalimin e infeksioneve që përhapen në ambientet ku ka grumbullim të qytetarëve, si pishinat publike dhe private, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës rekomandon rritjen e vigjilencës sa i përket kontrollit të vazhdueshëm të ujit të pijes dhe klorizimit të tij sikur edhe të kontrollit të shtuar dhe klorizimit të ujit të pishinave, që duhet të jetë i përhershëm.

Ndërkohë, nga institucionet shëndetësore të gjitha niveleve kërkohet raportimi i menjëhershëm i rasteve të dyshuara në infeksione, si Sindroma meningjeale apo të tjera.

IKShPK ka shtuar gatishmërinë në parandalimin e shfaqjes së sëmundjeve të ndryshme ngjitëse, marrë parasysh faktin se numri i rasteve të raportuara për Sindromën meningjeale gjatë muajit korrik-gusht, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka shënuar rritje.

Sindroma meningjeale (grup i simptomave që tregojnë për ndezje të cipave që rrethojnë trurin dhe palcën kurrizore) më së shpeshti shkaktohet nga një proces inflamator për shkak të infeksioneve bakteriale ose virale. Si rrugë e mundshme e infeksionit mund të jenë vendet e freskimit, kontakti dhe uji për pije.

IKShPK rikujton institucionet shëndetësore se bazuar në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse në Kosovë (LNR: 02/L-109), raportimi i sëmundjes dhe hulumtimi është i obliguar në rast të epidemisë apo rrezikut për shfaqje të saj.

Rekomandime:

• Kontrollimi dhe klorizimi i ujit për pije duhet të jetë i vazhdueshëm;

• Kontrollimi dhe klorizimi i ujit të pishinave duhet të jetë i përhershëm;

• Mirëmbajtja dhe pastrimi i rregullt i pishinave familjare;

• Raportimi i sëmundjes dhe hulumtimi është i obliguar në rast të epidemisë apo rrezikut për shfaqje të saj;

• Konfirmimi laboratorik dhe njohja e shkaktarit e domosdoshme;

• Raportimi i menjëhershëm (brenda 24 orëve) i rastit të vdekjes nga Meningjiti nga spitali, klinika, etj.

• Edukimi shëndetësor i popullatës mbi masat e përgjithshme parandaluese;

• Komunikimi me media dhe informimi i popullatës;

• Shpërndarja e informatave në të gjitha nivelet dhe partnerët relevantë;

• Promovimi dhe edukimi shëndetësor në institucionet parashkollore dhe shkollore;