Mendy i nënshtrohet operacionit në gju

Manchester City ka njoftuar se Benjamin Mendy i është nështruar një operacioni në gju por nuk e ka treguar kohën e rikuperimit.

Mbrojtësi i krahut të majtë i zhvilloi 90 minuta në derbin e fundjavës së kaluar ndaj Manchester United ndërsa ishte grumbulluar me kombëtaren e Francës për ndeshjet e këtij muaji por është detyruar të largohet për shkak të shqetësimeve që ka pasur.

Përmes një komunikate për shtyp Manchester City ka konfirmuar se francezi i është nështruar operacionit në një klinikë në Barcelonë.

“Manchester City konfirmon se Mendy ka kaluar një operacion në gjurin e majtë të mërkurën në mbrëmje, kurse i gjithë klubi i dëshiron një rikthim të shpejtë”, shkruhet në komunikatën e Cityt.

Mendy tërhoqi ligamentet në shtator të vitit të kaluar duke e humbur pjesën më të madhe të sezonit që e lamë pas, ndësa lëndimi i fundit nuk duket të jetë aq serioz pavarësisht që nuk dihet koha e saktë e mungesës.

24 vjeçari përmes një postimi në Twitter paralajmëroi se do të rikthehet shumë shpejt në fushë, teksa numëron 11 paraqitje këtë edicion në të gjitha garat me “Citizens”.