Menaxhimi i keq i parasë publike, Qeveria Kurti rriti shpenzimet për miliona euro

Gjithsej shpenzimet e Qeverisë Kurti në tremujorin e katërt 2022 ishin 966.5 milionë euro, që është një rritje e shpenzimeve krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak (TM4 2021), që ishin 822.6 milionë euro.

 Qeveria e Kosovës që drejtohet nga Albin Kurti nuk po mundet assesi t’i menaxhojë siç duhet milionat e shtetit.

Nën drejtimin e Kurtit, përgjatë vitit të kaluar janë rritur shpenzimet për miliona euro në Qeveri, por për miliona euro kanë rënë edhe të hyrat, shkruan Demokracia.com.

“Shpenzimet e Qeverisë së Përgjithshme në TM4 2022 ishin 966.5 milionë euro, që është një rritje e shpenzimeve, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak (TM4 2021), që ishin 822.6 milionë euro”, thuhet në një raport të publikuar nga Agjencia e Statistikave.

Sipas këtij raporti, pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë kontributet sociale dhe përfitimet me 19.0%; subvencionet me 18.0%; kompensimi i punëtorëve me 18.0%; formimi i kapitalit bruto me 15.0%; ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategori të tjera të shpenzimeve.

Qeveria Kurti gjatë vitit 2022 ka dështuar edhe në rritjen e të hyrave.

Sipas të dhënave të fundit, të hyrat në tremujorin e katërt të vitit që kemi lenë pas kanë shënuar ngritje të lehtë, por ajo që bie në sy është që rritja është bërë nga tatimet që kanë paguar qytetarët.

“Gjithsej të hyrat e Qeverisë së Përgjithshme në TM4 2022 ishin 732.1 milionë euro, që është një rritje e të hyrave, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak (TM4 2021), që ishin 627.1 milionë euro”, shkruan në këtë raport zyrtar, përcjell Demokracia.com.

Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte (67.0%) të totalit të të hyrave; tatimet rrjedhëse në të ardhura (13.0%); aktivet dhe detyrimet financiare (11.0%); pagesat për prodhimet jo-tregtare (4.0%); ndërsa pjesa e mbetur është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave.

Performancë të keqe me paranë publike, Qeveria Kurti kishte treguar edhe gjatë muajve të tjerë të vitit të kaluar.

Shpenzimet e Qeverisë në tremujorin e tretë të 2022 ishin 615,9 milionë euro. Ndërsa, shpenzimet për kohën e njëjtë të vitit të kaluar ishin 526,9 milionë euro.

Kurse, deri në muajin qershor, shpenzimet e përgjithshme të Qeverisë ishin 581,7 milionë euro, ndërsa shpenzimet në të njëjtën kohë të vitit 2021 ishin 505,9 milionë euro.

Nga këto të dhëna vërehet se shpenzimet këtë vit janë rritur për disa miliona euro, shkruan Demokracia.com.

Mirëpo, derisa shpenzimet janë rritur, të hyrat kanë shënuar rënie.

Sipas ASK-së, të hyrat e Qeverisë në tremujorin e dytë të 2022 ishin 635,2 milionë euro, ndërsa të hyrat në periudhën e njëjtë të vitit 2021 ishin 660,0 milionë euro.