Memli Krasniqi ua bën “bajat” ministrave të Kurtit: Mos ia bëni argatin atyre për të cilët do të skuqeni

Kryetari i Partisë Demokratikë të Kosovës, Memli Krasniqi, u ka thënë ministrave të Qeverisë Kurti se nuk kanë arsye ta mbrojnë Nagip Krasniqin. 

Kreu i PDK-se, Memli Krasniqi, ka qenë deputeti me më së shumti replika në Kuvend këtë paradite. Ai është përfshirë në replika të vazhdueshme lidhur me korrupsionin në KEK.

“Dilni, folni, mbrone Nagipin. E keni një zor të madh. Shumica dërmuese nuk jeni të përfshirë. Mos ia bëni argatin atyre që keni mu skuq nesër”, tha ai.

Krasniqi ka reaguar ndaj ministreve Rozeta Hajdari e Arbërie Nagavci.

Hajdarit ia ka përmendur zhdukjen e rezervave shtetërore, duke thene se do të duhej të shkarkohej nga kjo pozitë, meqë është e dënuar edhe për mosdeklarim të pasurisë.

“Kjo ministre se ka vendin këtu, kjo është dashtë me u shkarku para Nagipit. Kjo është e dënume me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, për mosdeklarim të pasurisë, për fshehje të pasurisë. Ka dënim të plotfuqishëm. O qytetarë të nderum, keni ministra të dënum për fshehje të pasurisë që dalin na mbajnë ders këtu, me na kallxu dicka”, ka thënë Krasniqi.

I pari i PDK- së ka thënë se Hajdari s’ka nevojë të flas për zhvillimet në KEK, meqë është Ministre e Tregtisë.

“Ti s’ke nevojë përndryshe si Ministre e Tregtisë me dal këtu me fol për këtë punë”, ka deklaruar Krasniqi.

Kurse Nagavcit ai ia ka përmendur shkeljen e Kushtetutës së Kosovës.