Memli Krasniqi, PDK: Do të nxjerrim ligj të posaçëm për t’i hequr taksat e tatimet për investitorët nga diaspora VIDEO

Nënkryetari i PDK-së, njëherësh kandidati për deputet, Memli Krasniqi, ka thënë se promovimi i diasporës së Kosovës dhe zhvillimi i një kornize konkrete e cila do të mbështesë zhvillimin kulturor, socio-ekonomik dhe politik të diasporës, është objektiv kyç i qeverisjes së PDK-së.

“Nxitja e investimeve nga diaspora do të jetë një faktor i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe social të Kosovës në të ardhmen. PDK do të miratojë një ligj për investimet nga diaspora që do të sigurojë masa mbështetëse për investime, stimujt tatimor që përfshijnë përjashtimin nga detyrimet doganore, pushime të ndryshme tatimore dhe masa specifike të lehtësimit ose heqjes së taksave”, ka thënë Memli Krasniqi që mbanë numrin 5 në listën e PDK-së, gjatë shpalosjes së programit të PDK-së për politikën e Jashtme dhe diasporës.

“Për ta lehtësuar lidhjen e diasporës sonë me Kosovën, ne do të investojmë në zgjerimin e infrastrukturës konsullore dhe në krijimin e shërbimeve digjitale për të mundësuar shërbime konsullore më efektive dhe më të lira për bashkëatdhetarët tanë. Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme për t’i marrë këto përgjegjësi. Prandaj me 14 shkurt, na duhet mbështetja juaj”, tha Krasniqi.