Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka marrë pjesë sot në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një ngjarje tradicionale që mbledh liderë politikë, fetarë dhe shoqërorë nga mbarë bota, në prani të Presidentit amerikan Donald J. Trump.

Në një postim publik, Krasniqi e ka cilësuar këtë ngjarje si një moment reflektimi mbi përgjegjësitë e lidershipit, vlerat demokratike dhe të ardhmen e përbashkët, veçanërisht në kohë sfidash globale.

Ai ka theksuar se aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet një interes jetik për Republikën e Kosovës, duke nënvizuar se rruga përpara duhet të ndërtohet mbi miqësi të forta, partneritete strategjike dhe një qasje të përgjegjshme shtetërore.

“Rruga jonë përpara ndërtohet mbi miqësi të forta, partneritete strategjike dhe një qasje të përgjegjshme shtetërore, në shërbim të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit demokratik”, ka shkruar Krasniqi.

Mëngjesi Kombëtar i Lutjeve konsiderohet një platformë e rëndësishme dialogu dhe reflektimi për liderët botërorë, ndërsa pjesëmarrja e përfaqësuesve nga Kosova vlerësohet si dëshmi e vazhdimit të marrëdhënieve të ngushta me SHBA-në.