Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shprehur mbështetjen e tij për kandidaturën e Ferit Idrizit në zgjedhjet lokale në Vushtrri. Në një takim të mbajtur sonte në Lumadh, Krasniqi tha se puna e Idrizit në katër vitet e fundit ka dëshmuar qeverisje me vizion dhe përkushtim.
“Feriti ka udhëhequr me ndershmëri, transparencë dhe pa dallime, duke e bërë Vushtrrinë shembull të stabilitetit dhe zhvillimit. Sot qytetarët e Vushtrrisë e dinë se kanë pasur një kryetar që ka punuar për të gjithë, me duar të pastra dhe me zemër të hapur”, u shpreh Krasniqi.
Ai shtoi se më 12 tetor Idrizi do të marrë sërish besimin e qytetarëve për një Vushtrri më të mirë, më të jetueshme dhe më dinjitoze.
“Sepse Feriti, përveç se kandidat i PDK-së, është edhe kandidati dhe kryetari i të gjithë qytetarëve të Vushtrrisë”, tha më tej kryetari i PDK-së.







