Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku shkojnë në Uashington, Amerika ndëshkoi vetëm pushtetin

Ministra të Kurtit dhe kryetarë të komunave që qeverisen nga Vetëvendosje, nuk do të mund të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sikur asnjëherë më parë, ambasadori amerikan e cilësoi këtë gjendje si “krizë”, duke e arsyetuar në mënyrë diplomatike anulimin e vizitave të pushtetarëve, shkruan Demokracia.com.

Mungesë vizash apo ‘qortim’ nga SHBA-ja për mosdëgjueshmërinë e Kurtit për shtyrjen e vendimit për targat, ende kjo çështje nuk është sqaruar mirë. Por, siç është raportuar, ‘ëndrrën amerikane’ nuk do ta përjetojnë ministrat Xhelal Sveçla e Albulena Haxhiu.

Përveç dy ministrave më të besuar të Kurtit, në SHBA nuk do të shkojë as ministri Elbert Krasniqi së bashku me kryetarët e Vetëvendosjes, Shpejtim Bulliqi, Alban Hyseni dhe Qemal Aliu.

E përderisa zyrtarët e Vetëvendosjes po përballen me refuzimin amerikan, dy liderët e opozitës, Memli Krasniqi i PDK-së dhe Lumir Abdixhiku i LDK-së, do të udhëtojnë drejt SHBA-së pas pak ditëve, në mesin e nëntorit, shkruan Demokracia.com.

Memli Krasniqi në mes të këtij muaji pritet të nisë një vizitë të nivelit të lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai do të pritet në takime në Departamentin e Shtetit në SHBA.

Lideri i opozitës do të takohet edhe me zyrtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe do të pritet edhe në Kongres, në takime të ndara në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, shkruan Demokracia.com.

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pritet të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë këtij muaji. Nga LDK-ja kanë thënë se kryetari i partisë është ftuar dhe do të bëjë vizitë zyrtare.

Abdixhiku, po ashtu, pritet që të realizojë takime të rëndësishme.

Mbi një vit të tërë, kryeministri Kurti hoqi të “zitë e ullirit” për një takim me sekretarin amerikan Anthony Blinken. Kurti shkoi shpesh në SHBA dhe qëndroi atje nga 20 ditë dhe kishte shumë vështirësi që të takojë njerëz të rëndësishëm të politikës amerikane.

Megjithatë, duket se SHBA-ja po i ndëshkon vetëm njerëzit e pushtetit qendror dhe lokal, duke ua anuluar vizitat në Amerikë për shkak të krizës në veri, por jo edhe liderëve të opozitës, të cilët tani duket se janë më të mirëpriturit në SHBA. /Demokracia.com/