Memli Krasniqi: Albin Kurti ka shtruar rrugën për autonomi politike për serbët në pjesën veriore

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se kryeministri Albin Kurti e ka shtruar rrugën për autonomi politike për serbët në veri të Kosovës.

Ai këtë deklaratë e bëri para fillimit të seancës së Kuvendit të Kosovës ku Kurti do të raportojë për tensionet në veri.

“Veprimet që kanë filluar nga java e kaluar, e që kanë qenë të pakoordinuara, në fakt në kundërshtim me të gjitha rekomandimet dhe diskutimet që qeveria dhe akterët i kanë pasur me partnerët ndërkombëtarë – e kanë krijuar këtë situatë të krizës. Kjo s’është kriza e parë. Ne po jetojmë nga kriza në krizë. Albin Kurtin kryeministër ne në raport me partnerët kryesorë të Kosovës ne kemi vetëm telashe. Vetë kriza. Që nga viti i kaluar. Nuk funksionon aleanca kështu. Nuk funksionon një shtet i pavarur që dëshiron me pasë një perspektivë euro-atlantike. Sepse, rrezikohet kjo perspektivë. Sanksionet ndaj Kosovës janë shqetësim për çdo qytetar. Nuk jemi më sovran kur na përjashton NATO nga ushtrimet ushtarake të saj. Nuk mund të reduktohet sovraniteti prej një njeriu i cili insistoi me hy në tri zyre të caktuara. Pastaj është një manipulim i madh. E ftoj kryeministrin të na tregoj pse nuk po e çon Kryetarin e Mitrovicës së Veriut në zyret komunale. Ai është njëjtë në zyret dytësore, siç është edhe Kryetari i Zveçanit dhe Zubin Potokut. E kanë ngujuar atje një Kryetar të Leposaviçit, çfarë pune është duke bërë ai. Është konfrontu me tërë botën, e ka shkaktu një krizë, e ka rreziku sigurinë, e ka sjellë një kundërreagim kriminal nga ana e Serbisë, me banda të cilat janë duke mbajtë peng të gjithë qytetarët, nga të gjitha komunitetet. Dhe, cila është përgjigja e tij? Përgjigja e tij ka me qenë tërheqja. Ai çdo veprim e ka të tillë. E krijon krizën, pastaj tërhiqet dhe na e lë problemin dhe na e degradon situatën për nja pesë hapa prapa. Kjo është shtrim për autonomi politike për serbët. Nuk ka të bëjë më me asociacionin”, ka thënë Krasniqi.