Vendi i parë

Memeti e Uka janë krenare për suksesin e Kosovës

Futbollistet Erëleta Memeti dhe Modesta Uka janë krenare me suksesin e përfaqësueses së Kosovës.

Kosova të premten në Podujevë fitoi 5:1 ndaj Bullgarisë dhe siguroi promovimin në Ligën B të Ligës së Kombeve. Kosova e ka fituar grupin në Ligën C, në edicionin e parë të Ligës së Kombeve për futbolliste.

“Po ndihem krenare që kam ndihmuar ekipin për ta fituar këtë ndeshje të rëndësishme dhe kemi arritur një sukses të jashtëzakonshëm. Kemi luajtur mirë në përgjithësi dhe kemi merituar të kalojmë në Ligën B, që do të jetë më e vështirë. Por do të shohim se me çfarë kundërshtarë do të përballemi”, ka thënë kapitenia e Kosovës, Erëleta Memeti.

Ajo shënoi dy golat e fundit në ndeshje.

Një gol e realizoi Modesta Uka.

“Po ndihem shumë e lumtur, jo vetëm me golin por edhe me fitoren që ishte shumë e rëndësishme. Jam krenare për ekipin dhe vajzat që kanë dhënë maksimumin dhe po ndihem shumë mirë”, ka thënë Uka për faqen zyrtare të FFK-së.