Meliza Haradinaj-Stublla viziton varrezat shqiptare në New York: Premton drejtësi për krimet e Serbisë dhe vëllezërve Bytyqi

Shefja e diplomacisë kosovare, Meliza Haradinaj Stublla, ndodhet në një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo ka nderuar veprën e familjes Bytyqi në varrezat e Yonkers në New York.

“Rezoluta e miratuar në Kongresin Amerikan, në shkurt të vitit 2017, është mesazh i qartë për Serbinë – se pranimi i fajësisë, kërkimfalja dhe vendosja para drejtësisë e akterëve të masakrave e vrasjeve të shqiptarëve të Kosovës, është rruga e vetme që na shpie tek paqja e qëndrueshme dhe stabiliteti në rajon.” – shkruan znj.Haradinaj Stublla.

Ky është statusi i plotë:

Bashkë me prindërit e heronjve të Kosovës, vëllezërve Yll, Agron e Mehmet Bytyqi, para varrit të tyre në varrezat e Yonkers të Nju Jorkut, si Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, shpreha nderimet më të thella për sakrificën e familjes Bytyqi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Bashkëndjeva dhimbjen e nënës Bahrije dhe bashkëluftëtarëve të “Batalionit Atlantiku”, duke vazhduar premtimin se nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për të gjitha krimet gjenocidale të Serbisë të kryera në Kosovë.

Rezoluta e miratuar në Kongresin Amerikan, në shkurt të vitit 2017, është mesazh i qartë për Serbinë – se pranimi i fajësisë, kërkimfalja dhe vendosja para drejtësisë e akterëve të masakrave e vrasjeve të shqiptarëve të Kosovës, është rruga e vetme që na shpie tek paqja e qëndrueshme dhe stabiliteti në rajon.