Meliza Haradinaj përplaset me Gjuriqin në Twitter pasi ai hodhi akuza ndaj kryeministrit Kurti

Ish-kryediplomatja e Kosovës, Meliza Haradinaj ka replikuar në Twitter me ambasadorin serb në Washington, Marko Gjuriq. Përplasja ‘online’ mes tyre nisi pasi Haradinaj regoi kur Gjuriqi tha se kryeministri Albin Kurti po refuzon zbatimin e marrëveshjeve të Bruskelit dhe Washingtonit.

Gjuriq shkroi fillimisht se “masat e njëanshme të qeverisë së Kurtit sollën në radhë të parë krizën aktuale”, dhe se, sipas tij, refuzimi i zbatimit të marrëveshjes së Washingtonit nga ana e Kosovës “mbetet një sfidë akute për stabilitetin rajonal”.

Haradinaj ia kujtoi Gjuriqit se nga marrëveshja të cilën e përmendte, Serbia s’ka zbatuar asnjë pikë të saj.

“Imagjinoni të jeni ambasadori i Serbisë në SHBA dhe i referoheni argumenteve politike kundër Kosovës përmes Marrëveshjes së Washingtonit – nga e cila Serbia zbatoi 0 nga 16 pikat, duke përfshirë zotimin për ta zhvendosur Ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem deri më 21 korrik”, shkroi Haradinaj, duke shtuar se “kjo është e gjitha për besueshmërinë ndërkombëtare të Serbisë”.

Duke tentuar pak ironinë, Gjuriqi ia ktheu asaj duke i thënë se Kurti po i akuzon qeveritë e kaluara si të korruptuar e kriminelë.

“Më pëlqen postimi yt, Meliza. Shpresoj te jesh duke ja kaluar mire. Para së gjithash, Kurti vazhdimisht po thotë se të gjithë ju nga qeveritë e kaluara keni qenë të korruptuar dhe kriminelë dhe, rrjedhimisht, Kosova* nuk e njeh as Brukselin dhe as Marrëveshjen e Washingtonit”, shkroi Gjuriq.

Haradinaj replikoi duke thënë se ndjehet mirë që edhe si “ish” është e rëndësishme për diplomacinë serbe.

“Më vjen mirë që edhe si ‘ish’, jam ende ‘e vlefshme’ për diplomacinë e Serbisë”, shkroi ndër tjerash ish-ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, duke e përmendur marrëveshjen për lirinë e lëvizjes që po zbatohet nga Kosova.

Gjuriq u mundua sërish me ironi, duke publikuar fotografi të policëve të Kosovës në veri, si kundërpërgjigje.

“Ne mbrojmë kufijtë, territorin dhe sovranitetin tonë të njohur ndërkombëtarisht. Nuk e sqaruat: a është ndërmjetësuar në Bruksel marrëveshja e fundit e ID-ve, zbatimin e së cilës ju e vlerësuat në tweet-in tuaj? Pra, a po respekton Kryeministri ynë marrëveshjet e mëparshme apo JO?! Në pritje… 🍿”, shkroi Haradinaj.

Pas kësaj, Gjuriq nuk shkroi më.